LAJMI I FUNDIT:

Banorët e lagjes Dardania ankohen për ngrohje, Termokos jep përgjigje

Banorët e lagjes Dardania ankohen për ngrohje, Termokos jep përgjigje

Ngrohtorja e qytetit Termokos nga data 15 tetor ka nisur sezonin e ngrohjes në Prishtinë, kështu e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e kompanisë, Afërdita Uka.

Uka kishte njoftuar se janë përfunduar të gjitha përgatitjet për ta nisur ngrohjen.


“Pasi kanë përfunduar me sukses të gjitha përgatitjet, testimet e nevojshme të rrjetit dhe të pajisjeve të ngrohjes, si dhe pasi janë analizuar me kujdes ndryshimet e temperaturave të ajrit, menaxhmenti i Ndërmarrjes Publike Termokos, ka marrë vendim që sot [15 tetor], ashtu siç edhe parashihet me aktet ligjore në fuqi, të fillojë furnizimi me ngrohje”, tha Uka.

Në një ankesë dërguar në Telegraf, banorët e ndërtesës SU 2/10 në lagjen Dardania, kanë thënë se ende nuk kanë ngrohje pavarësisht njoftimeve nga Termokosi.

“Banorët e ndërtesës SU 2/10 në lagjen ‘Dardania’ në Prishtinë kanë dërguar një ankesë drejt ngrohtores Termokos, me që këta të fundit në komunikata për media kanë konfirmuar se ngrohja e kryeqytetit ka filluar sipas parashikimeve në datën 15 tetor, mirëpo jo edhe për banorët e kësaj ndërtese. Ata kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj ngrohtores qendrore Termokos dhe kërkojnë një zgjedhje urgjente”, thuhet në ankesën e tyre.

Termokos sot fillon sezonin e ngrohjes në kryeqytet
Lexo po ashtu Termokos sot fillon sezonin e ngrohjes në kryeqytet

Në anën tjetër, zëdhënësja Uka tregon se ky objekt është përfitues nga një nënstacion i ri të ngrohjes në saje të projektit për rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes dhe se sot do të fillojë furnizimi me ngrohje për këtë objekt.

“Objekti SU 2/10 në lagjen ‘Dardania’ është një nga objektet, që do të përfitojë një nënstacion komplet të ri të ngrohjes në saje të projektit për rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, që është duke u realizuar me fondet e Komisionit Evropian. Të gjitha punët teknike, përfshirë këtu vendosjen e të gjitha pajisjeve të reja të ngrohjes si dhe testimet e nënstacionit tanimë kanë përfunduar. Sot do të fillojë furnizimi me ngrohje për këtë objekt, ndërsa për shkak se të gjitha pajisjet e këtij nënstacioni të ngrohjes janë komplet të reja pritet që ky objekt të ketë ngrohje shumë më cilësore, se që ka pasur sezoneve të kaluara ngrohëse, kur është furnizuar me ngrohje nëpërmes pajisjeve të stërvjetëruara të ngrohjes, që ka pasur deri më tani në këtë nënstacion”, tha për Telegrafin, Uka.

Ajo në një intervistë për Telegrafin, kishte thënë se me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” priten të rriten kapacitetet në furnizimin me ngrohje. Ajo tregon se me zgjerimin e projektit të kogjenerimit, qyteti i Prishtinës do ta zgjidhë përfundimisht problemin e ngrohjes qendrore.

Sipas saj, në kuadër të punimeve, në rrjetin e ngrohjes pritet të kyçen disa objekte banesore të lagjes Kalabria, lagjes Ulpiana dhe lagjes Mati 1. /Telegrafi/