LAJMI I FUNDIT:

Banorët e Hajvalisë, mbi një milion euro borxhe shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit

Banorët e Hajvalisë, mbi një milion euro borxhe shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit

KRU ‘Prishtina’ njofton konsumatorët borxhlinj të fshatit Hajvali, se gjatë ditës së sotme do të shkyçen individualisht nga shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit.

Mbi 1,400 shtëpi apo konsumatorë të këtij fshati u kanë borxh KRU ‘Prishtina’ mbi një milion euro.


Me shkyçje do të përballet secili konsumatorë që ka dy e më shumë fatura të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.

Për këtë aksion, në fshatin e lartpërmendur janë të angazhuar 4 ekipe të shkyçjes përfshirë edhe inspektorë. Ata të cilët kanë borxhe ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit do të shkyçen gjatë ditës së sotme, pas shumë vërejtjeve e njoftimeve që u janë bërë më parë, shkruan Telegrafi.

Gjatë ditës së nesërme do të vazhdohet me shkyçje në fshatin Makovc, Llukar, Bardhosh, Besi, Trudë dhe të gjitha fshatrat e tjerë që gravitojnë përgjatë gypit magjistral Albanik-Prishtinë.

KRU ‘Prishtina’ është duke i përmirësuar shërbimet për ujësjellës dhe kanalizim, ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerë, andaj u bën thirrje të gjithë konsumatorëve , që t’u përgjigjen pozitivisht të gjitha obligimeve financiare për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, në mënyrë që të evitojnë shkyçjen nga shërbimet; të gjithë konsumatorëve që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike, u bëjmë thirrje që të respektojnë në përpikëri kontratat për riprogramimin e borxhit, gjithnjë duke paguar këstet e përcaktuara sipas kontratës së nënshkruar nga të dyja palët; dhe duke filluar nga data 1 shkurt 2018, të gjithë konsumatorët që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike dhe nuk iu janë përmbajtur Kontratës për pagesën me këste të borxhit të riprogramuar, do të iu rikthehet borxhi i falur, bazuar në Ligjin për Faljen e Borxheve Publike. /Telegrafi/