LAJMI I FUNDIT:

Bankat për një vit fituan mbi 85 milionë euro

Bankat për një vit fituan mbi 85 milionë euro

Deri në fund të muajit dhjetor të vitit 2017, bankat komerciale kanë fituar 85.3 milionë euro , apo mbi 9.8 milionë euro më shumë krahasuar me fitimet e vitit 2016. Vetëm gjatë muajit dhjetor, bankat shënuan fitim neto në vlerë prej 3.3 milionë eurosh.

Këto të dhëna janë publikuar nga Banka Qendrore të Kosovës (BQK), për vitin 2017 për sektorin bankar.

Viti 2017 në sistemin bankar u karakterizua edhe me rënie të ndjeshme të normave të interesit për kredi. Sipas raportit “Raporti mujor i Sistemit Financiar, dhjetor 2017”, publikuara nga BQK-ja, shkruan Telegrafi, norma efektive e interesit për kredi në këtë muaj ka zbritur në 6.8 për qind, krahasuar me 7.2 për qind që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

“Vlera e kredive në fund të muajit dhjetor të vitit 2017 arriti në 2.48 miliardë euro. Nga to 897.6 milionë euro ishin nga kreditë për ekonomitë familjare dhe 1.58 miliard euro nga financimi i bizneseve me kredi”.

Kreditë e sektorit bankar vazhduan ecurinë pozitive të rritjes për të katërtin vit me radhë, duke shënuar një rritje vjetore prej 11.5 për qind në fund të dhjetorit të 2017-së. Rritje e theksuar e kreditimit gjatë kësaj periudhe kishin sektori i ndërtimtarisë, prodhimtarisë dhe i tregtisë.

“Të hyra kryesore bankat i kanë të hyrat nga interesi me vlerë prej 176.7 milionë euro. Shpenzimet e interesit arritën në 17.1 milionë euro, ndërsa shpenzimet e përgjithshme dhe ato administrative janë 104.2 milionë euro”, tregon BQK-ja.

Rritje kishte edhe te depozitat e klientëve, vlera e tyre deri në këtë periudhë arriti në 3.09 miliardë euro, krahasuar me 2.89 miliardë euro që ishin një vit më herët, pra kishte rritje vjetore prej 6.7 për qind.

“Norma efektive e interesit për depozita në muajin dhjetor të vitit 2017 ishte 1.3 për qind, që krahasuar me normën efektive të interesit në kredi paraqet dallim me 5.5 pikë përqindjeje”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.

Kjo diferencë e lartë ka ndikuar që bankat gjatë kësaj periudhe të arrijnë fitime mjaft të larta. Derisa dallimi mes interesit në kredi dhe depozita do të jetë i lartë, bankat do të vazhdojnë të kenë shumë të hyra nga interesi dhe fare pak shpenzime për interes.

Pas dy viteve të ngadalësimit të rritjes, depozitat në sektorin bankar që nga mesi i vitit të kaluar përshpejtuan ritmin e rritjes. Depozitat e transferueshme vazhdojnë të dominojnë strukturën e depozitave, përderisa të afatizuarat dhe të kursimit zvogëluan pjesëmarrjen në gjithsej depozitat.

Zgjerimi i aktivitetit kreditues të sektorit bankar vazhdon të mbështetet nga ecuria e depozitave, rritja e të cilave paraqet burimin kryesor të financimit të kreditimit në vend.

Bankat për një vit fituan mbi 85 milionë euro
Lexo po ashtu Bankat për një vit fituan mbi 85 milionë euro

Kreditë e këqija sipas raportit të BQK-së aktualisht janë 3.1 për qind.

“Deri në dhjetor të 2017-së, sektori bankar regjistroi rënie të kredive jo-performuese dhe përmirësim të mbulueshmërisë së tyre me provizione. Niveli i tyre shënoi rënie në 3.1 për qind nga 4.9 për qind që ishte më 2016., një shkallë e ulët krahasuar me vendet në Ballkanin Perëndimor dhe vendet në Eurozonë. Për më tepër, niveli i mbulueshmerisë së NPL-ve me provizione shënoi rritje në 150.5 për qind”, shpjegon raporti.

Sektori bankar vazhdon të ketë nivel të lartë të kapitalizimit, me treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit në 18.1 për qind në mes të vitit 2017. Treguesi kyç i likuiditetit [raporti i mjeteve likuide ndaj gjithsej detyrimeve afatshkurtra] shënoi rënie në krahasim me vitin paraprak. Në këtë zhvillim ndikoi në njërën anë rritja e detyrimeve afatshkurtra, që reflekton pjesëmarrjen më të lartë të depozitave të transferueshme në kuadër të gjithsej depozitave, si dhe rënies së mjeteve likuide, si pasojë e zhvendosjes së mjeteve likuide në mjete afatgjata. Pra, sektori bankar vazhdon të shfaqë pozicion të kënaqshëm të likuiditetit. /Telegrafi/