Një bankë në Meksikë është kritikuar ashpër pasi kërkoi që një grua 96-vjeçare, e cila është e shtrirë në shtrat për shkak të moshës dhe sëmundjeve të shumta, të paraqitej personalisht në degën e bankës për të verifikuar identitetin e saj dhe për të marrë pensionin.

Në një video dhe disa foto që janë shpërndarë në rrjetet sociale, shfaqet gruaja duke u transportuar në një shtrat ambulante për të vizituar degën e BBVA (Banco Bilbao Vizcaya Argentaria) në Oaxaca.


Familja e saj kishte dorëzuar dokumentet e nevojshme, përfshirë dokumente zyrtare dhe autorizime, por banka kërkoi që ajo të paraqitej personalisht për të rregulluar një problem me regjistrimin biometrik që kishte penguar marrjen e pensionit për gjashtë muaj.

Menaxheri i degës i kishte thënë djalit të gruas, Gilberto Ayala, se pagesa e pensionit ishte pezulluar dhe se duhej të plotësonin kërkesa të tjera për ta rihapur atë. Ai e quajti këtë një "torturë".

Duke komentuar mbi këtë situatë, vajza e gruas, Ernestia, tha se "na kanë çuar nga zyra në zyrë. Na thonë se tiparet e fytyrës nuk përputhen me regjistrimin e mëparshëm, pa marrë parasysh se nëna ime është 96 vjeçare. Sigurisht që ka ndryshuar fizikisht; kush nuk ndryshon pas kaq shumë vitesh?"

Pas këtij trajtimi, familja e gruas ka paraqitur ankesa pranë Komisionit Kombëtar të të Drejtave të Njeriut, Zyrës së Avokatit të Popullit të Oaxacas dhe Komisionit Kombëtar për Mbrojtjen e Përdoruesve të Shërbimeve Financiare. /Telegrafi/