Banka e Shqipërisë: Turistët e huaj shpenzuan 1 mld euro në 3 muaj


Turizmi vijon të jetë një nga motorët më të fortë të ekonomisë shqiptare edhe përgjatë këtij viti si për flukset turistike, njëherësh edhe për të ardhurat që injektohen në ekonomi prej tyre.
Sipas të dhënave më të fundit të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë vetëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti, turistët e huaj shpenzuan mbi 1 miliard euro në Shqipëri.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, të ardhurat nga turistët u rritën me rreth 14.8%, ndërsa në raport me vitin 2024 rritja është edhe më e lartë me 27%.
Referuar të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore, bilanci neto i turizmit mbeti pozitiv me 362,9 milionë euro, duke u rritur me afro 23% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.
Ky është një nga rezultatet më të larta ne muajt e parë të vitit duke treguar se turizmi po sjell gjithnjë e më shumë valutë në ekonominë e vendit tone.
Në total, shërbimet e udhëtimit përfaqësuan rreth 62% të hyrjeve valutore nga eksporti i shërbimeve dhe rreth 75% të shpenzimeve të kësaj kategorie, duke mbetur komponenti dominues i bilancit tregtar në shërbime.
Këto të dhëna tregojnë njëherësh se Shqipëria po konsolidohet si një destinacion që tërheq një numër në rritje vizitorësh, jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe periudhave të tjera të vitit.
Ndërkohë, edhe pse shqiptarët po shpenzojnë gjithnjë e më shumë për udhëtimet jashtë vendit, të ardhurat që gjenerohen nga turistët e huaj mbeten ndjeshëm më të larta, duke ruajtur një bilanc pozitiv për ekonominë.
Sipas të dhënave zyrtare vetëm përgjatë periudhës Janar–Maj 2026, Shqipëria regjistroi mbi 3.7 milione vizitorë të huaj ose me një rritje prej +8.17%, fluks i cili pritet të regjistrojë edhe më shumë rritje përgjatë 3 muajve të verës.




































