LAJMI I FUNDIT:

Ballkani është plot me monumente të Millosheviqit

Ballkani është plot me monumente të Millosheviqit

Millosh Çiriq

Partia Socialiste e Serbisë ka paraqitur një propozim për të ngritur një monument për ish-shefin e saj, Sllobodan Millosheviq, në Beograd.

Kjo u njoftua në 12 vjetorin e vdekjes së Millosheviqit, më 11 mars, pas zgjedhjeve të mbajtura në Beograd një fundjavë më parë dhe mes lajmeve se Këshilli Bashkiak i Beogradit do të ndajë fonde për një monument tjetër.

Kjo është në kujtim të Zoran Djindjiç, kryeministrit serb i cili u vra më 12 mars, 15 vjet më parë, nga ata që kishin shërbyer më parë si “krahu i gjatë” i Millosheviqit.

Për çfarë qëllimi shërbejnë monumentet dhe memorialet e tjera, pse i kemi ato dhe pse këto praktika janë një pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore dhe politike të çdo shoqërie?

Memorialët mund të shërbejnë për një sërë qëllimesh në çdo shoqëri – dialog social, rindërtim social, demokratizim, reparacion simbolik, pajtim dhe procese të ndërtimit të paqes, duke përmendur vetëm disa.

Nga ana tjetër, ata shërbejnë gjithashtu si mjete që ndihmojnë në përkufizimin e identitetit kombëtar, krijimin e kohezionit social rreth çështjeve politike dhe sociale.

Ata gjithashtu mund të jenë falsifikime të fakteve historike të shkruara në gur, vepra të neveritshme që dëmtojnë interesin publik, fyejnë viktimat e mizorive, e kështu me radhë.

Çështja se kush, çfarë dhe si çdo shoqëri duhet të vendosë për të përkujtuar është me rëndësi të madhe, sidomos në shoqëri si Serbia, e cila mban ende barrën e të kaluarës së saj të luftës dhe sekrete e të dhëna që vazhdojnë të dalin në dritë.

Përveç kësaj, elita aktuale politike e Serbisë është e njëjta që u lind politikisht dhe faktikisht në luftërat e viteve 1990.

Ajo u ngrit bazuar në ideologjinë e Millosheviqit për një Serbi të Madhe që solli zjarr, tërbim, dëshpërim dhe vdekje të gjithë jo serbëve dhe serbëve, edhe pse në një mënyrë jo të pandryshueshme gjatë kohës së agresionit të Serbisë nën udhëheqjen e Millosheviqit.

Çfarë dhe kush ne, si shoqëri, zgjedhim të mos harrojmë, është ndoshta politikisht më e fuqishme se ajo që ne zgjedhim të mbajmë mend.

Kujtimi është një proces pasiv, shpesh i brishtë. Mos harresa është një proces shumë më imponues si për individët ashtu edhe për shoqërinë sesa kujtesa “e thjeshtë”.

Me përjashtim të rasteve të traumave, duhet të bëjmë një përpjekje të ndërgjegjshme për të mos harruar diçka ose dikë, ndërkohë që përkujtimi si i tillë mbetet në sferën e praktikave individuale ose grupore, të cilat mund të jenë sporadike, të shpërndara ose në mënyra të tjera kalimtare.

Duke marrë vendimin e qëllimshëm se çfarë ose kë shteti, dhe më tej, shoqëria në tërësi, vendos të mos harrojë, nëpërmjet disa prej praktikave të shumëfishta të përkujtimit, institucionet qeverisëse synojnë të vulosin në kujtesë publike diçka ose dikë të një rëndësie të madhe sociale, gjë e cila është, përveçse një akt psikologjik, edhe një akt politik.

Duke ngritur një memorial publik, shteti dëshiron që ai të shërbejë si një spirancë, një gur për të parë pas tek e kaluara për orientim, frymëzim apo atë që nënkuptohet të jetë e vërteta historike.

Monumentet e reja janë të një rëndësie të tillë sepse ato na përfaqësojnë ne në këtë moment në kohë. Ato tregojnë se si e perceptojmë ne të kaluarën tonë, por gjithashtu ofrojmë fakte të rëndësishme për atë që po shikojmë drejt të ardhmes.

Le të kthehemi te nisma për të ndërtuar një monument në kujtim të Millosheviqit në Beograd.

Kjo mund të jetë e habitshme, por unë jam pro kësaj. Një monument i ngritur në Beograd, me pamjen dhe fytyrën e tij dhe që na detyron të mos e harrojmë atë – ideologjinë e tij, pasojat e politikave të tij vrastare, monstruoze dhe djallëzore, sipas mendimit tim, duhet të vendoset nga pasardhësit e tij në zonën më të frekuentuar të mundshme të qytetit.

Ky kujtim i dhimbshëm se kush jemi ne duhet të marrë miratimin e menjëhershëm nga qeveria e qytetit, sepse përputhet vërtet me realitetet politike dhe shoqërore në të cilat jetojmë.

Ai është vetëm maja e ajsbergut e “monumenteve” të tjera të Millosheviqit, të cilat tashmë ekzistojnë në të gjithë Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Le të përmendim disa prej tyre, meqenëse monumentet e Millosheviqit, si edhe efektet e politikave të tij në lidhje me shoqërinë serbe dhe të ardhmen e saj, por edhe në lidhje me të ardhmen e të gjithë rajonit, janë ende shumë të gjalla, edhe pse ai vetë ka kohë që ka vdekur.

Toma Fila, avokati dhe njeriu i besuar i Millosheviqit, tha shumë mirë së fundmi drejtpërdrejtë në televizion – se një nga monumentet më të forta dhe më të qëndrueshëm për Millosheviqin është ekzistenca e entitetit serb në Bsonjë, Republika Srpska, dhe lidershipi aktual politik i saj.

Duke krijuar këtë proto-shtet me anë të gjenocidit dhe spastrimit etnik të boshnjakëve dhe jo serbëve të tjerë gjatë viteve 1990, Millosheviqi arriti të paktën një gjë – ai i la pas mjaftueshëm municione ideologjike pasardhësve të tij që ata të vazhdojnë të realizojnë master planin e tij, që daton nga fillimi i viteve 1980 – shteti ku të gjithë serbët ndodhen në një shtet të vetëm, shteti i Serbisë së Madje sipas stilit nazist.

Vetë Beogradi tashmë ka ndërtuar një monument jozyrtar ë kujtim të Millosheviqit – një varr masiv në Batajnica, vetëm dhjetë kilometra nga qendra e qytetit, ku qindra shqiptarë të Kosovës u sollën nga Kosova dhe u varrosën në mes të natës.

Po të shikoni të gjithë Serbinë, do të shikoni kudo monumente të Millosheviqit – do ta dalloni atë te njerëzit, sjelljet e tyre dhe zgjedhjet e tyre politike.

Shihni të gjitha dhunën dhe diskriminimi që qeverisin shoqërinë serbe, një tjetër grup monumentesh, shikoni presidentin tonë Aleksandër Vuçiç, ministrin e propagandës së Millosheviqit, shikoni ministrin tonë të jashtëm, Ivica Daçiç, nëse doni shembuj më të gjallë të monumenteve të Millosheviqit mes nesh.

Hidhuni një sy edhe mediave tona, fjalimeve publike të politikanëve tanë, elitës intelektuale dhe lëvizjeve në rritje të krahut të djathtë dhe fashistë dhe partive që lulëzojnë në shoqërinë tonë.

Tani, nëse e ktheni shikimin në jug, do të shikoni, për shembull, Trepçën, një nga vendet ku forcat e Millosheviqit dyshohet se dogjën trupat e shumë shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së ashtuquajtur të Kosovës për të mbuluar gjurmët e tyre të përgjakshme.

Nëse ju shikoni në veri, do të gjeni një tjetër monument, vendi ku ish-presidenti serb Ivan Stamboliç, aleati i ngushtë i Millosheviqit, i cili më vonë u bë rivali i tij, u vra nga banditë e Millosheviqit nga shërbimi sekret i shtetit në vitin 2000.

Nëse shikoni në lindje, do të verboheni nga qytetet dhe fshatrat piktoreske të Bosnjës dhe Hercegovinës së dikurshme multietnike që tani janë kthyer në varreza.

Srebrenica është monumenti më i njohur i Millosheviqit, me më shumë se 8,732 shpirtra të varrosur në tokën e ftohtë.

Por Tuzla, Gorazda, Zvorniku, Foca dhe qytetet e tjera boshnjake lindore kanë të gjithë të pakën një monument të Millosheviqit – një kamp vdekjeprurës, një kamp përdhunimi, një varr masiv të (pa)identifikuar, një shtëpi të djegur, një familje që humbi anëtarët e saj…

Shikoni pas tyre dhe do të vini re sesi Sarajeva qëndron ende e rrethuar nga kodrat e larta ku Millosheviqi ngriti monumente për vete – varret dhe gurë varresh të pafund të boshnjakëve të vrarë gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit nga forcat serbe.

Më në lindje, shikoni monumentet e Prijedorit, Bihacit dhe Sanski Mostit të Millosheviqit, të ndërtuara nga duart e tij të mallkuara.

Tani shikoni pas dhe ndaloni në Beograd, ku është lajmëruar ndërtimi i monumentit më të ri të Millosheviqit dhe kushtojini vëmendje zemrës së qytetit ku do të gjeni një vend përkujtimor të viktimës së fundit shumë të njohur të Millosheviqit.

Ai vend është rruga Nemanjina 21, në oborrin e ndërtesës së qeverisë serbe.

Atje ndodhet një monument i padukshëm, por ekzistent, i Millosheviqit. Ajo tregon atë duke qëndruar në këmbë mbi trupin e vdekur të Zoran Djindjiç i cili u vra nga njerëz që shërbenin si forca të Millosheviqit me mbështetjen politike dhe mediatike të pasuesve të tij.

Le të hedhim një vështrim edhe në disa nga monumentet e Millosheviqit në formë letre. Për shembull, Deklarata e Pajtimit e vitit 2008 midis pasuesve të Djindjiçit dhe Millosheviqit, i cili turpërisht i barazoi këta dy burra dhe shpalli “pajtimin kombëtar” i cili në fakt vetëm rehabilitonte Millosheviqin dhe qentë e tij të luftës.

Shikoni tani tekstin e kushtetutës serbe – ligjit më të lartë të vendit. Ky është gjithashtu një monument për Millosheviqin, me dispozitat e tij të dëmshme dhe efektet e tyre mbi të ardhmen e shoqërisë sonë, sidomos ato që deklarojnë se tashmë Republika e pavarur e Kosovës është ende pjesë e Serbisë.

Hidhni një sy gjendjes së mjerueshme të jetës sonë publike, rënies së institucioneve publike, mediave tona të kontrolluara dhe propagandistike, partive tona të korruptuara si në pushtet ashtu edhe në opozitë, sistemit nacionalist të vlerave të dashur nga shumica e qytetarëve tanë dhe të vendosura nga Millosheviqi – a i shikoni ato tani? Monumentet e Millosheviqit ndodhen përreth nesh, duke na mbytur, madje ai po e bën këtë edhe nga varri.

A e kemi kaluar ne epokën e Millosheviqit? Duke pasur parasysh kush po udhëheq vendin tonë, duhet ta dini tashmë përgjigjen.

E vërtetë. Aleksandër Vuçiç nuk është Millosheviqi (vetëm në pamje jo), por po përsa i përket qëndrimit të Millosheviqit mes qytetarëve serbë sot? Si ndihen ata për ngritjen e një monumentit të tij në Beograd?

Bazuar në sondazhin e kryer gjatë emisionit televiziv të lartpërmendur në të cilin Toma Fila shpjegoi se pse Millosheviq duhet të ketë një monument në Beograd, audienca televizive votoi pro/kundër kësaj ideje.

Në fund të emisionit, më shumë se 55 për qind e shikuesve votuan në favor të ndërtimit të monumentit në kujtim të Millosheviqit në Beograd.

Sigurisht që ky sondazh nuk është i sigurt, por është gjithsesi tregues. Është viti 2018 dhe rezultatet e një sondazhi të zakonshëm televiziv nuk ishin aq afër.

Ta lëmë mënjanë këtë sondazh dhe të hiqemi sikur ai nuk pasqyron opinionin publik, vetëm kështu që ne mund të ndjehemi pak më mirë për veten tonë.

Le t’i kthehemi çështjes tonë. A kemi ne nevojë edhe për një monument tjetër të Millosheviqit, vetëm se këtë herë ai monument do ta tregojë atë duke qëndruar me krenari në qendër të Beogradit?

Absolutisht. Le ta ndërtojnë monumentin e Millosheviqit. Më pas do të kemi një mundësi historike për të shkatërruar të paktën një prej tyre. /BIRN/