Kufijtë e Kosovës i shpalli të ligjshëm GJND në Hagë.

Kufijtë shtetëror të Kosovës janë të vizatuar edhe në flamurin shtetëror..

Kushtetuta sanksionon detyrat e presidentit të shtetit dhe ai nuk ka të drejt në asnjë rast të bëjë tregti me territor. Me analfabet në krye të shtetit, Kosova nuk mund të ecë më tutje.

Është koha që asnjë fjalë nga dialogu të mos mbetet sekret. Po shihet se dikush nuk e ka dert kufirin e Kosovës!

Jo fort moti, në Kosovë ka pasur bukur shumë individë që janë munduar, jo të këmbejnë territore me Serbinë, por për të mbetur në pushtet, kanë ofruar gjithë Kosovën, vetëm për karrige. Millosheviqi, as të tillëve nuk iu dha rast. Sa duket këtë histori, kasta e tashme drejtuese kosovare shqipfolëse e ka harruar fare.

Kushdo që në cilëndo mënyrë është marrë me çështje të kufijve, ka pasur mundësi të shoh se, së paku në Evropë, nuk mund të vendosen lehtë kufij administrativ të një fshati, lëre më të një shteti. Sot, kur janë tejkaluar konflikte shumë të rënda mbi baza etnike, të flitet për çfarëdo ndryshimi kufijsh duket krejt në kundërshtim me gjithë faktorin ndërkombëtar e kosovar, dhe krejt në favor të politikës serbe.

Në një situatë kur bashkësia ndërkombëtare ka sanksionuar edhe përmes vendimit tashmë të njohur të GJND-s[, shpalljen e ligjshme të pavarësisë së Kosovës, pas trumbetimeve disavjeçare të Daçiqit, dolën edhe shumë “patriotë” shqiptarë që punojnë përditë për realizimin e këtij plani të djallit serb. Mu sikur gënjeshtra serbe që përsëritet me dhjetëra e qindra herë, derisa ajo të vihet ne funksion, ashtu vazhduan edhe goditjet e disa politikanëve shqiptarë që kanë uzurpuar pushtetin në Kosovë, tash 20 vjet.

Jo një vit, por as edhe një shekull bisedime, nuk do të sillnin kurrë asnjë rezultat në këtë plan. Andaj shtrimi i temave të tilla, shumë herë vret për së dyti të gjitha viktimat e luftës, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje e në Kroaci.

Realizimin e idesë serbe tash dolën ta përkrahin edhe drejtues të shtetit të Kosovës. Dikush duket jo që nuk lexon fakte nga historia e tmerrshme e këtyre viseve, por sikur të zgjohet jerm dhe del publikisht me deklaratë se paska mundësi për këmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë.

Këto edhe ide e ngjashme, për tema aq delikate e të rrezikshme siç janë kufijtë, vetëm sa kontaminojnë situatën në rajon dhe çojnë ujë në mullirin e bashkëpunëtorëve dhe ideatorëve të politikës së Millosheviqit.

Jo pak herë, dhe shumë seriozisht, liderët më eminentë të Evropës, kanë tërhequr vërejtjen që të mos bisedohet për kufijtë shtetëror. Madje, lideri kosovar, duke mos ia prishë askush dialogun me Vuçiqin, sa duket kishte shkuar larg në planin e tij të ndarjes se re të Kosovës. Vet deklaratat e Presidentit kosovar dëshmojnë se ai fsheh edhe shumë gjëra nga dialogu që ka pasur me Vuçiqin. Thjeshtë, duke iu shmangur transparencës dhe duke biseduar fshehtas nga Kuvendi i Kosovës, punët duken se kanë shkruar larg, në dëm të Kosovës.

Megjithatë, është mirë që deri sot askush nga faktorët ndërkombëtarë nuk pranuan as diskutim për deklarata të tilla.

Që nga pavarësimi i Kosovës, Serbia, me politikën e saj ia doli të mbaj peng jo vetëm Ballkanin, por në njëfarë mënyre edhe gjithë Evropën.

Formula për kufij etnik, edhe po të ishte e mundshme, nuk do të duhej të pranohej kurrë. Një politikë e tillë çfarë e dëshiron vetëm Serbia, do të ishte e dëmshme për të gjithë popujt pa përjashtim.

Jelena Guskova, analiste politike ruse, para shumë vjetësh ka deklaruar se Kosova, tash kur është shtet i pavarur, nuk do të pranojë kurrë të falë asnjë pjesë të territorit të saj

Akademikja dhe analistja ruse, Jelena Guskova, kohë më parë kishte deklaruar se Serbia po fundoset me politikën e saj. ”Ndarja e Kosovës do të ishte mirë për Serbinë, por Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe kurrë nuk do të pranojë t’i japë Serbisë ndonjë pjesë të territorit të saj. Ky është realiteti”, përfundon ajo.

Ligjëruesi serb i shkencave politike, Vladimir Kovaqeviq, thekson se vendimi i GJND-së, mendimin e të cilit gjyq e ka kërkuar vetë Serbia, e ka vulosur fatin e politikës serbe kundruall Kosovës.

“Libri i Kosovës për Serbinë është mbyllur shumë para se ta ketë në dorë Vuçiqi” thotë analisti serb Teofil Pançiq dhe shton se qeveria aktuale serbe duhet të lirohet nga floskulat bajate, si ajo “Kosovën se japim…”.

Të gjitha dëshmitë flasin se “vozhdi” po shpresonte tek renegatët shqiptarë, por numri i tyre pas vitit 1981 ishte zvogëluar shumë. Qe transformuar edhe Qubrilloviqi, por jo nxënësit dhe bashkëpunëtorët e tij.

Të gjithë e dinë se Sllovenia, në hapin e parë, atëherë kur minatorët e Trepçës filluan grevën nën tokë tha se nuk do të pajtohet kurrë të jetojë në një shtet kur diskriminimi etnik ndodhë përditë, ndërsa të gjitha subjektet tjera të federatës se atëhershme jugosllave ishin konfuze rreth çështjes së Kosovës. Shpresonin aso kohe goxha shumë lider se, kolltukët e tyre do të mbesin të paprekura nga falangat serbe, të cilat kishin filluar masakrën e planifikuar. Kushdo që është i interesuar mund të gjej një mal dokumentesh për të vërtetuar konstatimin e përmendur.

Të gjithë e dinë kush kreu gjenocid e krime kundër njerëzimit. Të gjithë e dinë sa fëmijë, sa gra e pleq, sa te sëmurë në spitale vrau e masakroi soldateska serbe gjatë dhjetë vjetëve në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. Mirëpo, sot, makineria propaganduese serbe ka arritur ta mbulojë gjithë hapësirën informative me gënjeshtra të paskrupullta mbi gjoja krimet e popujve tjerë ndaj popullit serb.

Të gjithë e dinë mirë se si në B e H, Dodiku tallet përditë me fatkeqësinë e popullit boshnjak, ndërsa një grusht kriminelesh serb jo vetëm të pjesës veriore te Kosovës, por edhe shumë të ardhur nga Serbia e edhe Rusia, vazhdojnë të mbajnë peng ushtrinë më të fortë në botë dhe vetë diplomacinë evropiane.

Të gjithë e dinë se pesë vende të BE-së, me qëndrimin e tyre kundër pavarësisë se Kosovës bllokuan çdo ide për dalje nga kriza në Ballkan, dhe se paku tash për tash ia dolën të jenë më të forta se 17 shtetet tjera, njëqind herë me të fuqishme, të cilat tashmë kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kosova dhe gjithë ajo që po ngjanë rreth saj, janë shembull tipik ii mungesës se çfarëdo ideje evropiane për të dal nga qorrsokaku, në të cilin i ka futur Serbia të gjithë pa përjashtim.