LAJMI I FUNDIT:

Bajrami: As deputetët pozitës nuk e votojnë Demarkacionin

Bajrami: As deputetët pozitës nuk e votojnë Demarkacionin

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, madje edhe ata të pozitës, nuk do të votojnë në favor të ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Kështu ka deklaruar deputetja e NISMA-s për Kosovën, Valdete Bajrami, gjatë një interviste në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.


“Kurdo që vjen, kurdo që do të tentoj ta sjellë Isa Mustafa për votim atë marrëveshje në Kuvend, unë besoj që deputetët nuk do e votojnë, po ashtu besoj që nuk do e votojnë as deputetët e partisë së tij. Shpresoj dhe besoj që nuk do të kalojë”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka deklaruar se opozita nuk e ka bllokuar marrëveshjen për demarkacionin, ngase pozita ka shumicën e votave në Kuvend.

“Është absurde t’i kërkosh votat nga opozita, ku mbi 87 vota i ka nga pozita”.

Deputetja Bajrami ka shtuar se opozita ka kryer një detyrë të rëndësishme në mbrojtjen e terrotirit të Kosovës dhe se kjo ishte kauza e vetme e partive që nuk janë në pozitë.

“Kauza e opozitës është për çështje nacionale. Opozita e ka kryer detyrën e saj, ka pasur protesta masive”, ka deklaruar ajo.

Bajrami ka thënë se Komisioni për Matjen e Territorit, nuk ka bërë gjë tjetër pos që ka konfirmuar konstatimet Komisionit Qeveritar për Demarkacionin me Malin e Zi, dhe për këtë arsye duhet të shkarkohet.

“Ky komision ka qenë kryekëput vegël i Isa Mustafës. Ai komision duhet të japë llogari, të dorëhiqet, të shkarkohet edhe Qeveria të dorëhiqet të bëhen zgjedhje elektorale”.

Ajo ka thënë se konstatimi i këtij komisioni, përbën një lajm jo të mirë për vendin dhe se NISMA e kundërshton punën e tij. /Klan Kosova/