Një vajzë e mitur, 13-vjeçare nga Plemetini i Obiliqit, është kthyer në shtëpi te familja e saj 6 muaj pasi kishte ikur. Gj.B., në muajin nëntor të vitit të kaluar, ka shkuar në Mitrovicë, pa lejen e prindërve, të bashkëjetojë me të miturin, I.H, 16-vjeçar, me të cilin thotë se është martuar.

“ E kom dashtë, e kom lanë shkollën edhe kam ik” – deklaron ajo për Klan Kosovën.

Babai i saj, F.B., thotë se të hënën ishte tentimi i tretë për të sjellë vajzën në shtëpi. Dy herët e tjera e kishte sjellë, por e bija përsëri kishte ikur.

Të hënën, para se ta sillte në shtëpi, kishte kërkuar nga familja e 16-vjeçarit 3000 euro nëse duan ta mbajnë vajzën, ndryshe thotë s’kishte si ta kthente Gj.B. në shtëpi.

“Arsyeja asht që e kom ditë që ata s’kanë pare me m’i dhanë edhe ia kam lypë, se e kam ditë që kanë me ma kthy vajzën,” thotë F.B.

I.H., ka deklaruar në polici se familja e tij nuk ka pasur kaq para, bile as 500 euro, i cili ishte çmimi më i ulët i kërkuar nga babai i vajzës.

Duke qenë se nuk i dhanë para, F.B. kërkoi ndihmën e policisë, e cila i ndihmoi që vajza të kthehet në shtëpi, por tani forcat e rendit po merren me të e prindërit e I.H.

Në qendrën për punë sociale në Obiliq, thonë se paratë nuk janë dhënë.

“ Pas intervistimit të të dy prindërve të dy palëve, ne nuk kemi argumente se është dhënë mito” – deklaron Haki Mjeku, drejtor i QPS në komunën e Obiliqit.

Mjeku tha se do të bisedojë me drejtorinë e arsimit në këtë komunë e do të bëjnë zgjidhje që e mitura 13 vjeçe të vazhdojë mësimin intensiv dhe do të kujdesen që më mos të braktisë shkollën.

Këtë gjë thotë se do ta bëjë vetë Gj.B, pas përfundimit të mësimeve.

“Si ta kryej shkollën e t’i bëj 16 vjeç, kam me shku prapë te burri” – deklaron e mitura.

Babai i vajzës po kërkon ndihmë nga shteti që vajza të shkollohet e mos të shkojë te burri, pasi vetë s’mund t’ia dalë, meqë ka edhe pesë fëmijë të tjerë e jeton në kushte të rënda ekonomike.