LAJMI I FUNDIT:

AZIZI I RËNDË

AZIZI I RËNDË

Aziz Salihu është sportisti i parë shqiptar nga Kosova që ka arritur të jetë fitues i mbi 30 medaljeve te arta në turnirë të ndryshëm ndërkombëtarë, ka arritur të merr pjesë në tre gara Olimpike, ku edhe fiton medaljen Bronzi ne Los Angeles. Azizi, për disa vjet ka dominuar këndin magjik të ringut në kategorinë e rënde duke plandosur për dysheme kolosë të boksit botëror.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Dora e rëndë e Azizit, pesha, arti i lëvizjeve në ring, disiplina dhe përkushtimi kanë bërë që Aziz Salihu të mbetet legjendë e gjallë e këtij sporti luftarak.  Legjenda e boksit shqiptar ishte 10 herë kampion i ish-Jugosllavisë, 5 herë kampion ballkanik, 2 herë kampion i Lojërave mesdhetare, 7 herë pjesëmarrës në kampionate evropiane, ku kishte fituar dy medalje, pastaj i treti në kupën botërore, i treti në Olimpiadë, kapiten i Evropës, tri herë kishte marrë pjesë në Olimpiada…


Por, cili ishte Azizi, jashtë ringut, atëherë kur i paloste dorëzat, fshinte djersët, dilte nga ëndrrat dhe i kthehej jetës reale.

Aziz, si rastisi që një djalosh nga Banulla të arrijë fillimisht në Shkup, në Prishtinë e pastaj edhe në Olimpiadën botërore në Los Angeles? Kjo tingëllon si një ëndërr e një boksieri kur gjendet në nokdaun.

Këto mundime vetëm unë i di…të marrësh pjesë në shumë turne, Olimpiada, kampionate botërore, etj, të përballesh me shumë boksierë me nam, ka qenë shumë vështirë. Por, unë ia arrija qëllimit, sepse kisha inat, talent, por kam qenë i padisiplinuar.

Janë munduar të më largojnë edhe nga reprezentacioni, unë kam qenë i vetmi boksier që 12 vjet pareshtur kam marrë pjesë në gara ndërkombëtare, i vetmi që kam përjetuar tri Olimpiada botërore. Tashti, shpesh çuditem, në ato rrethana, si kam mundur të jem aq i suksesshëm! Ishte kënaqësi për mua, kudo që shkoja, e dinin që jam shqiptar. Më kanë gëzuar shumë edhe sukseset në Olimpiadë të mundësve Shaban Tërstena dhe Shaban Sejdiu, të cilët garoni nën flamurin e Maqedonisë.

Në atë kohë me qenë shqiptar dhe me përfaqësuar krejt Evropën, ka qenë diçka e jashtëzakonshme për ne si popull dhe ka qenë shumë punë e madhe. Kam qenë në ranglistat botërore si boksieri më i mirë afër 15 vjet. Ndër 10 më të mirët në botë kam qenë gjithmonë.

Gjithherë e kam pasur pozitën e parë ose të dytë dhe rrallëherë të tretën. Ato humbje që i kam në karrierën time m’i kanë humbur gjyqtarët sepse ma kanë bërë të padrejtë. Gjithmonë padrejtësisht më kanë marrë fitoret ata që janë bërë kampionë, sepse kemi qenë pa përkrahje. Ndërsa në Jugosllavi nuk kam pasur konkurrent, i kam mundur të gjithë, kam shumë trofe nëpër turnet evropiane të boksit dhe gjithmonë kam dal i pari.

Jeni përballur me shumë grushte, madje jo vetëm që keni dhuruar goditje të rënda, por edhe keni marrë dhe prapë keni mbetur në këmbë. Ju, si për shaka, deklaroheni se ato grushte, edhe po të ishin tullumba, do të të lëndonin, e lërë më që ishin goditje të rënda që peshonin deri 250 kg.

Unë, kam qenë boksier aktiv 21 vjet. Olimpiadat më janë dukur si “qebapa”. Tri herë pjesëmarrës në Olimpiadë. A din çka do të thotë të jesh për 12 vjet në top formë? Kam dëshirë ta përsëris edhe dikush këtë sukses. Ndërsa sot e kam më vështirë, asgjë nuk përkon me konceptin “koha ime”…jam duke jetuar më keq se në kohën e represionit. Unë kam bërë shumë për Kosovën, ndërsa sot Aziz Salihu ka mbetur pa përkrahje…dhe nuk mund të fle natën i qetë!

Nuk kam lënë derë të figurave politike që kanë shijuar pushtetin dhe personaliteteve tjera që nuk u kam trokitur. Të gjithë më kanë premtuar e më kanë mashtruar….

A ju kujtohet sa meçe keni zhvilluar, cili ka qenë më i rëndi dhe kur keni dalë nga ringu kokulur dhe i dërmuar?

I kam 500 ndeshje me vetëm 26 humbje. 12 vjet kam qenë në kulmin botëror në gara. Kam qenë i ri dhe e kam dashur këtë sport me zemër. Kam mundur boksierin me renome botërore, Alexandar Jagupkin, ish-kampionin botëror, Abadzhian, kampionin botëror në amatorizëm dhe profesionalizëm, Francesko Damiani. Kam fituar ndaj Tony Berton, Graig Payne, Hakan Brock, Ferenc Somodi, Marvis Frazier (djali i George Fraizer), Peter Hysing etj…

Por meçi më i rëndë ka qenë kur kam humbur nga kampioni Olimpik dhe botëror në amatorizëm dhe profesionalizëm Tyrell Biggs padrejtësisht në gjysmëfinale të lojërave Olimpike në Los Angeles, Biggs i cili ka mposhtur në kualifikime të Lojrave Olimpike të madhin Mike Tyson.

Ndërsa tash është bërë biznes sporti dhe janë rrena të gjitha fitoret, sepse të gjitha fitohen me pare. Tash nëse bokson dikush për kampion bote dihet më herët që do të bëhet kampion bote. Pas çdo meçi të humbur, unë kam qarë nga 2-3 ditë.

Çka keni thënë në një moment, kur sapo keni dalë nga nokdauni?

Unë, kam përjetuar pak nokdaunë. Kur jam ‘kthjellë’, kam menduar se si të ruhem, si t’ia kthej dhe, si të fitoj. Ama, nuk kam menduar kurrë, që ta mbys …por, ajo mund të ndodh, sepse unë, gjithnjë, pas nokdaunit kam qenë më i rrezikshëm.

Ju po mundoheni me mish e me shpirt ta ringjallni këtë lojë fisnike dhe burrërore duke organizuar meçe ndërkombëtare. A po gjeni përkrahje për këtë iniciativë tuajën?

Po të isha këngëtare, apo artiste, ndoshta po…Sportistët kulmorë në vendin tonë, të cilët janë të shumtë dhe me të cilët jemi mburrë gjithmonë nga kohë të ndryshme, meritojnë përkrahje më të madhe institucionale, por edhe në forma të ndryshme.

Ta lëmë boksin për një çast. Për ju është shkruar një monografi dhe është punuar një film dokumentar. A mendoni se aty është pasqyruar denjësisht jeta e Azizit të vërtetë?

Unë kam mbledhur materiale nga më shumë se 400 kaseta në të cilat janë xhiruar meçet e mia. Por, ai film, nuk është dokumentar për mua. Kam menduar se aty, do të pasqyrohet krejt jeta ime, kam folur shumë, kam shumë storie filmike, kam gjëra tjera më të cilat populli do të ishte nderuar.  Për mua, ky nuk ishte një film dokumentar, por një reportazh. Edhe në monografi, jeta ime nuk është aty.

Cili është Azizi i vërtetë të cilin e shohim nëpër rrugët e Prishtinës?

Aziz Salihu, është një djalë i urtë, një djalë që i do dhe nderon të gjithë, madje edhe fukarenjtë e rrugëve, por edhe ata me të meta psikike, të cilët shpesh vijnë e më përqafojnë. Ata më njohin si Aziz Salihu, ndërsa mua më vjen marre që nganjëherë s’kam një euro t’ua japi.

Ju njiheni si njeri i butë, ndërkohë që në ring keni qenë i pamëshirshëm. A është vështirë njeriu të paraqitet në dy pamje?

Unë kam qenë i butë, sepse më keq është ta rrahësh dikë për 9 minuta, sesa ta nokautosh. E nokauton, e shpëton. Unë kam qenë shumë i zhgënjyer, nga padrejtësitë që më janë bërë, por populli më ka dashtë, sepse kam qenë boksier atraktiv, me teknikë të mirë, dhe më kanë vlerësuar si boksierin më të shpejtë në botë.

Njiheni edhe si boksieri më i bukur dhe më aventurier në ish-Jugosllavi. Na bëhet se keni pasur flirte të shumta. A guxoni të përgjigjeni në këtë pyetje?

Kam qenë numër një. Për femra nuk kam pasur problem, kudo që kam shkuar. Normal, kur kam qenë i pamartuar. Kam pasur shumë shoqe, femrat më kanë dashtë, më kanë adhuruar, sepse kam qenë i bukur, sharmant, i shoqërueshëm dhe i suksesshëm. Por, pastaj u martova, dhe si i tillë isha më i kufizuar. Po të mos isha me femra, do të më thonin se jam homo…hahaha.

Disa vjet keni jetuar edhe në Beograd, a keni pasur provokime, duke qenë se jeni shqiptar dhe si jeni gjendur në ato situata?

Pas vitit 1984, pas Olimpiadës, ishte vështirë jo vetëm në Serbi dhe në vendet tjera, por edhe Prishtinë na merreshin pikët me dhunë ku politika luante gjithmonë kundër neve. Ne ishim një gjeneratë që kishim më shumë trysni se gjenerata e kaluar, sepse kishte filluar të keqësohej situata dhe era i vinte për të keq. Kjo edhe ndodhi për pak vite.

Të vazhdojmë pak edhe me jetën tuaj private. Opinioni ju njeh si një njeri i qejfeve. A ka ndonjë qejf të parealizuar Azizi?

Të gjitha qejfet e botës i kam provuar, përveç homoseksualitetit, që se pëlqej, hahaha. Por, keq, s’kam bërë kurrë.

Keni pasur edhe shumë meçe me femra. A keni dalë fitimtar ndaj tyre?

Ato gjithnjë më kanë mundur, hahaha, por edhe unë kam dalë fitimtar…Unë kam qenë njeri i madh. Kam udhëtuar gjithkah. Edhe në Hollywood, jam takuar me emra të mëdhenj të artit si Ornella Muti, etj.

Na evokoni pak ndonjë detaj kur psh. kur keni zbritur nga autobusi, mu në mes të rrugës për të takuar ndonjë mike tuajën. Është kjo e vërtetë? A do ta bënit këtë edhe sot?

Hahha, 15-20 herë e kam bërë këtë…por sot më nuk do ta bëja, përveç nëse e shoh ndonjë simpati të vjetër…

Natyra e profesionit tuaj, lë për të dyshuar se keni pasur edhe disa telashe me trajnerë, me boksierë dhe me shtabin teknik. Në njëfarë mënyre, fitohet përshtypja se Azizi gjithmonë ka qenë i pakënaqur, përherë ka shfaqur ankesa, do të thoshim të arsyeshme…

Unë jam themelues i sportit të pavarur, por edhe i boksit në kohë okupatori. Unë përherë i kam respektuar dhe nderuar të tjerët, kolegët. Kam bërë çmos për sportin, boksin e Kosovës, ndërsa sot, në Federatë janë disa njerëz, që se kanë vendin aty. Kjo është marre, prandaj, sot, nuk ka boks në Kosovë. Boksierët më të mire kanë ikë, ndërsa po marrin boksierë nga Shqipëria…

A po dëgjohet zëri yt ankues, dhe a mos është aktuale thënia e rilindasit tonë, “si nuk e kam një grusht të fortë…”! Ju e keni grushtin ende të fortë, por nuk e përdorni fatbardhësisht. A ka nevojë që grushti i boksierit të përdoret edhe jashtë ringut dhe atë pa dorëza?

Boksieri së pari duhet të jetë i edukuar që të mos e përdor boksin jashtë ringut. Ka të tjerë që i ngacmojnë sportistët dhe, në disa raste ata detyrohen të mbrohen. Edhe unë jam që boksieri, në momente të tilla, duhet të mbrohet.

Megjithatë njiheni edhe si tolerant, zemërmirë dhe jeni ballëhapur për tërë atë që keni bërë. Duket se askush nuk mund tua bëjë me gisht për asnjë njollë. Madje, njiheni edhe si patriot. Është i kënaqur Azizi me Azizin?

Azizi është shumë i kënaqur me Azizin, por jam i dëshpëruar që patriotizmi sot më ka lënë në rrugë. Por, unë jam i lumtur që jam ky që jam, kam një familje të pastër. Kjo është pasuria ime.

A ia ka vlejtur të merreni me boks dhe si trajtoheni sot?

Po ta dija, se do më ndiqte ky fat, unë qysh atëherë do të ndalesha në Amerikë. Kam pasur oferta të shumta nëpër botë, por të gjitha i kam refuzuar për Kosovën dhe familjen time. Si sportist i merituar dhe i shekullit nuk mund të duroj më shumë, jam pa post, pa kulm mbi kokë…pavarësisht premtimeve. Ligji për sport pjesërisht po zbatohet. Në shtetet e tjera sportistët kanë pensionet e tyre. Kam fituar medalje dhe kërkoj nga Qeveria që të shpërblehem, por jo vetëm unë, të gjithë sportistët të ndihmohen në forma të ndryshme.

Nuk kërkoj shumë. Thirrja e dokumentarit, nuk do të ketë fund të lumtur. Do t’i marr të gjitha medaljet që i pata fituar, do t’i hedh në thes dhe do t’i gjuaj, me qëllim që të them se nëse ju nuk e dini se çka do të thotë Medalja Olimpike, atëherë unë nuk di tjetër çfarë të them.

Cila do të ishte porosia e Azizit për të gjithë ata që kanë zgjedhur si profesion të jetës rrahjen në ring?

Kosova ka shumë talentë, por, nuk kanë stimulim dhe vullnet. I kam disa talentë aq të mirë në klub, sa po t’i ndihmojë dikush, do të bëheshin edhe kampionë Evrope dhe bote. Më kanë ikur shumë sportistë të mirë e kanë lënë boksin shkaku i kushteve, e sot e kam një breng për ata të rinj që më kanë ikur, sepse janë zhgënjyer. Tash për tash nuk përkrahen nga askush.

Porosia ime është që, nëse ndonjë entuziast i boksit nuk ka para dhe kushte, mos t’ia nisë fare boksit.

Ju prej kohësh organizoni turnirin “Adem Jashari” në boks. Sivjet, në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe në prag të epopesë së lavdishme “Nata e zjarreve” që mbahet më 5,6,7 në Prekaz, keni paraparë ta mbani turnirin “Thank you USA & Diaspora” dhe t’i jepni karakter ndërkombëtar. Sa jeni optimist që do ta realizoni këtë projekt madhor?

Është e vërtetë që unë me kënaqësi kam organizuar këtë turne dhe konsideroj se ka qenë në nivel. Sivjet, për sa u tha më lart, po synoj që ta bëjë këtë turne, vërtetë madhështor. Mirëpo që ta realizoj këtë qëllim timin, kërkohet edhe mbështetja institucionale dhe e sportdashësve, e cila shpresoj se, sivjet nuk do të mungojë.

Jam thellësisht i bindur se turniri “Thank you USA & Diaspora”do ta arsyetojë mbajtjen dhe shtetit tonë do t’i përcjellë imazhin e bukur në tetë vendet nga vijnë boksierët e shquar. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Juventusi mëson çmimin që duhet të paguajë për transferimin e Edon Zhegrovës

Juventusi mëson çmimin që duhet të paguajë për transferimin e Edon Zhegrovës

Serie A
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
Gresa Hoti merr vëmendje me fotografitë fantastike nga pushimet e saj

Gresa Hoti merr vëmendje me fotografitë fantastike nga pushimet e saj

Magazina
“Netët e vona” – Xhensila Myrtezaj shfaqet nën shoqërinë e Noizyt në një studio muzikore

“Netët e vona” – Xhensila Myrtezaj shfaqet nën shoqërinë e Noizyt në një studio muzikore

Magazina
Kalo në kategori