LAJMI I FUNDIT:

Azem Syla mbetet në paraburgimin

Azem Syla mbetet në paraburgimin

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK, Azem Syla dhe gjashtë persona të tjerë që u arrestuan si të dyshuar për krim të organizuar në rastin e njohur si rasti i pronave, do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, pasi që Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e tyre.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Tahir Rrecaj, avokat i Nuhi Ukës.


“Ankesat tona janë refuzuar, ne do t’i drejtohemi Gjykatës Supreme me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë”, tha Rrecaj.

Nuhi Uka, Artan Vila, Hajrullah Berisha, Sabedin Haxhiu, Lubisha Vujoviq, Ilaz Syla dhe Avni Maxhuni ishin arrestuar më 27 prill të këtij viti pas një aksioni masiv të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, ndërsa Azem Syla ishte dorëzuar në polici dy ditë më pas.

Fillimisht ndaj të arrestuarve ishte caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej një muaji, ndërsa më pas me kërkesë të prokurorit ishte vazhduar edhe për tre muaj të tjerë.