LAJMI I FUNDIT:

Avokati i Thaçit: Kemi ftuar Clarkun, Kouchnerin e të tjerë për të dëshmuar për pafajësinë e ish-presidentit

Gregory Kehoe

“Për Joe Biden nuk e di nëse do të mund të vij sepse tash është President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mirëpo kemi ftuar figura të tjera si gjenerali Wesley Clark, ambasadori Kouchner dhe të tjerë të cilët kanë pasur lidhje me Kosovën. Për shkak që Gjykata nuk ka lejuar që ata të dëgjohen më herët, shpresoj që ata të jetojnë sa më gjatë”, ka deklaruar avokati i Thaçit, Gregory Kehoe para mediave në Hagë.

Kjo deklaratë e tij vjen pas fjalimit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili iu drejtua Speciales ku theksoi se i vjen keq që për pafajësinë e tij s’do të mund të dëshmojnë disa figura të larta botërore por edhe ato vendore.


Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Madeleine Albright, Richard Hoolbroke e disa të tjerë, janë përmendur nga Thaçi si emra që i vjen keq që s’do të mund të dëshmojnë.

E për këtë avokati Kehoe ka thënë se ka ftuar disa figura të tjera të cilët kanë pasur lidhje me Kosovën të cilët nuk janë lejuar më herët të dëgjohen nga Gjykata Speciale.

“Ne kemi qenë shumë të hapur sa i përket dëshmitarëve që do të thërrasim. Do të jetë ambasadori Kushner, do të jetë ambasadori Walker nga Shtetet e Bashkuara, ambasadori Evarts që ishte me OSBE-në, por ishte edhe ambasador i Holandës, ndoshta do të përpiqemi të ftojmë edhe Jamie Rubin, i cili ishte ish-zëdhënës i Departamenti i Shtetit, siç e dëgjuat sot sigurisht, ju e dini që e dini se sekretarja Albright ka ndërruar jetë, ashtu sikur presidenti Rugova, por ne do të ftojmë çdo individ që kanë qenë njerëz të lartë në OSBE; ambasadorin Covey; dhe kë tjetër?”

“Por këta janë emrat për të cilët kemi folur më parë, gjeneralin Clark po, këta janë emra për të cilët kemi folur përpara se të publikojmë. Pra, ne kemi dosje ku janë të gjithë emrat, por çfarë ne fillimisht ishim përpjekur të bënim ishte të merrnim dëshminë e tyre përpara gjyqit. Dhe arsyeja për këtë sinqerisht është se shumë nga këta njerëz. Unë u uroj atyre një jetë të gjatë, por shumë nga këta zotërinj janë në të 80-at e tyre”, vijoi ai.

Avokati Kehoe tha se provat që sollën sot (e martë) para trupit gjykues dëshmojnë qartë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur një strukturë efektive komanduese.

“Pritjet janë që klienti ynë të shpallet i pafajshëm. Natyrisht, ju i keni parë provat që kemi paraqitur. Është një rast që është paraqitur nga ZPS për komandimin dhe kontrollin, komandimin dhe kontrollin efektiv. Dhe unë mendova se provat që sollëm sot, tregojnë qartë se nuk kishte strukturë komanduese dhe kontrolli, dhe sigurisht jo një strukturë efektive kontrolli komandues. UÇK-ja vepronte në nivel bazë dhe vepronte me kontrollin e zonave operative, dhe komandantëve të zonave operative dhe nuk ishte një zinxhir komandues vertikal. Mendoj se e kemi bërë mjaft të qartë sot”, deklaroi Kehoe.

Ndryshe gjatë fjalimit të tij, Thaçi, tha se ndien keqardhje për të gjitha viktimat dhe sërish u shpreh i pafajshëm.

Përfundon dita e dytë e gjykimit – mbrojtja dhe të akuzuarit hedhin poshtë akuzat e prokurorisë
Lexo po ashtu Përfundon dita e dytë e gjykimit – mbrojtja dhe të akuzuarit hedhin poshtë akuzat e prokurorisë

Ndryshe, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të martën se procesi gjyqësor kundër tij në Gjykatën e Posaçme në Hagë, e hoqi “renë e zezë” mbi Kosovën, sa u përket pretendimeve për trafikim organesh nga pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ngritura nga ish senatori zviceran, Dick Marty.

Thaçi i bëri këto komente në ditën e dytë të procesit gjyqësor kundër tij dhe tre ish zyrtarëve të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria i ngarkon ata për veprat; përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.