LAJMI I FUNDIT:

AUV-ja do të bëjë testimin e të gjitha produkteve nga qumështi

AUV-ja do të bëjë testimin e të gjitha produkteve nga qumështi

Pas fillimit të hetimeve për çmime damping në sektorin e qumështit nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), tash po kërkohet që edhe Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit të fillojë hetimin për produktet që dyshohet se kanë një përmbajtje të yndyrës bimore. Sipas, qumështarëve produktet e qumështit me përmbajtje të yndyrës bimore e dëmtojnë industrinë vendore të qumështit për shkak se po shiten me çmime të lira në treg.

Ndërkaq, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi ka thënë se ata në vazhdimësi bëjnë kontroll të produkteve për cilësi.
Sipas tij, për kontrollet lidhur me prezencën e yndyrës bimore apo të vajit të palmës në produktet me bazë të qumështit, AUV-ja ka ndërmarrë disa veprime, që kanë të bëjnë me produktet nga qumështi sikurse ato me yndyrë shtazore dhe yndyrë bimore. “Theks të veçantë iu është dhënë deklarimit të yndyrës në etiketën e produktit në mënyrë që të mos hutohet konsumatori”, tha Thaçi.


Ai ka treguar se kanë realizuar testime laboratorike të produkteve nga qumështi për prezencën e yndyrës bimore, por testimet kanë qenë të limituara.

“Këto testime mund të realizoheshin vetëm në laboratorë jashtë vendit, kryesisht në laboratorë specifike të BE-së, numri i testimeve ka qenë i limituar për arsye të transportit dhe kostos financiare. Tash e tutje testimet do të realizohen në kuadër të planit kombëtarë të kontrolleve zyrtare gjatë tërë vitit 2018. Në plan përfshihen testimet e të gjitha produkteve nga qumështi sikurse nga importi po ashtu edhe nga prodhimi vendorë. Në rast të mospërputhshmërisë me deklarimet eventuale do të pasojnë edhe masat e përcaktuara me aktet normative në fuqi”, ka thënë zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, shkruan Telegrafi.

Hetimi i MTI-së për çmime damping përçan qumështarët
Lexo po ashtu Hetimi i MTI-së për çmime damping përçan qumështarët

Rritja e kontrrollit nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), është duke u kërkuar edhe nga Organizata “Konsumatori”, që mbron të drejtat e qytetarëve konsumatorë.

Selatin Kaçaniku, drejtues i Organizatës “Konsumatori”, ka thënë se duhen kontrolle më të mëdha nga institucionet për t’i mbrojtur më shumë konsumatorët nga produktet me cilësi të dyshimtë.

Sipas tij, Dogana duhet të bëj kontrolle më të detajuara me rastin e deklarimit të mallit në kufi. Po ashtu një kontroll më e madhe duhet t’i bëhet edhe produkteve të qumështit. “Sektori i qumështit si një sektor tejet i rëndësishëm për ekonominë, tregtinë dhe për qytetarin konsumator duhet vazhdimisht të mbikëqyrët e inspektohet, jo vetëm lidhur me vajin e palmës. Duhet të mbikëqyrët në veçanti nga aspekti i kontrolleve që nuk i përmendin pronarët e bizneseve të këtij sektori”, tha Kaçaniku.

Ai ka kërkuar kontrolle të vazhdueshme nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë, si dhe e institucioneve të tjera.

“Përfitimet e qytetarëve nga largimi ose vënia nën kontroll e produkteve me yndyrë bimore, por edhe të përdorimit të tepruar të tij. Nëse kemi parasysh faktin se yndyrat e ngopura dhe të pakontrolluara, siç janë këto, janë shkaktarët kryesor të disa sëmundjeve, në veçanti të atyre kardiovaskulare”, tha Kaçaniku.
Kurse pas fillimit të hetimit për çmimet damping, qumështarët kanë thënë se duhet të fillojë edhe një hetim rreth përdorimit të vajit me yndyrë bimore në produktet e qumështit.

Kryetari i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës, Ramadan Memaj, ka thënë se produktet të cilat kanë vaj bimor shiten më lirë në treg, që e dëmtojnë prodhimin vendor të qumështit.

“Nëse do të ndërmerren masat e tilla, kjo do të jetë diçka shumë e mirë për sektorin e qumështit si dhe konsumatorin e Kosovës. Efektet të cilat mund të priten janë shumë domethënëse për zhvillimin e sektorit por këto masa duhet të përcillen me masa tjera nga ana e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, sa i përket produkteve me yndyrë bimore për arsye të cilat tashmë i janë të njohura opinionit të gjer në Kosovë”, tha Memaj.

Përdorimi i produkteve me yndyrë bimore sipas tij, i shkakton humbje industrisë së qumështit dhe prodhuesve vendorë. “Produktet me yndyrë bimore kryesisht me vaj palme shiten me çmime tepër të lira dhe këto e kanë ngulfatur prodhimin e mirëfilltë vendor, për shkak të kostos tepër të ulët që e kanë.Prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit presin veprime konkrete në këtë drejtim nga ana e institucioneve vendore”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës, Ramdan Memaj. /Telegrafi/