LAJMI I FUNDIT:

Audrey Hepburn, vajza që u dashurua nga e gjithë bota

Audrey Hepburn, vajza që u dashurua nga e gjithë bota

Në Bruksel, 90-vjetori i lindjes së legjendës së ekranit, Audrey Hepburn, po kremtohet në një mënyrë mjaft të veçantë: me një ekspozitë që tregon praktikisht përditshmërinë dhe jetën private të aktores së adhuruar hollivudiane.

“Audrey siç nuk e keni parë asnjëherë” është tema e saj; gati një mijë objekte të mbledhura nga njëri prej dy djemve të kësaj figure të jashtëzakonshme, Sean Hepburn Ferrer, shfaqen aty për publikun e gjerë, duke rrëfyer jo vetëm magjepsjen që solli ylli i Hollivudit, por edhe jetën e Hepburnit si nënë e si ambasadore e UNICEF-it.


“Kur mbërrin në fund të saj, t’i arrin të shohësh sesi vajza me të cilën u dashurua e gjithë bota, arriti të lulëzonte e të shndërrohej në një grua të mrekullueshme. Arrin ta shohësh e ta ndjesh një gjë të tillë”, tha i biri.

Ekspozita e çelur në qytetin e saj të lindjes, tregon sesi ylli që shkëlqeu me fustanin e ngushte të zi e dorezat e gjata tek “Breakfast at Tiffany’s”, arriti të shndërrohej në njërën prej figurave përcaktuese të glamurit të shekullit XX.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 25 gusht dhe fitimet e nxjerra do të përdoren për luftën kundër sëmundjeve të rralla dhe kancerit nga i cili vdiq edhe Audrey Hepburn.