LAJMI I FUNDIT:

Auditori i Përgjithshëm rekomandon rishikimin e kornizës ligjore për udhëtimet zyrtare

Auditori i Përgjithshëm rekomandon rishikimin e kornizës ligjore për udhëtimet zyrtare

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, në një shkresë dërguar kryeministrit Ramush Haradinaj, ka kërkuar vëmendje për trajtimin me prioritet nga ana e Qeverisë të Udhëzimit Administrativ 2004/2007 për Udhëtimet Zyrtare (Udhëzuesi) i miratuar nga Ministria e Shërbimeve Publike në vitin 2004, i cili ende është në fuqi. Paqartësitë dhe mungesat e identifikuara në kornizën ekzistuese ligjore kanë ndikuar në aplikimin jo konsistent të tij nga organizatat buxhetore.

Auditori i Përgjithshëm, në shkresën e tij, thekson se gjatë punës audituese është vërejtur se Udhëzuesi nuk i përgjigjet kërkesave të kohës dhe si i tillë nuk kontribuon në menaxhimin e rregullt, të shëndoshë dhe të mirëfilltë të parasë publike.


“Duke marrë në konsideratë këto çështje Auditori i Përgjithshëm ka rekomanduar që të rishikohet e tërë korniza ligjore që ka të bëjë me shpenzimet për udhëtimet zyrtare dhe të azhurnohet për të përmbushur kërkesat e kuadrit të ri ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës”, theksohet në njoftimin për media të Auditorit të Përgjithshëm, shkruan Telegrafi.

Auditori i Përgjithshëm ka theksuar se me qëllim të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, ZKA do të ofrojë rekomandime specifike lidhur me përmirësimin e qeverisjes, me qëllim të rritjes së besueshmërisë në shpenzimin e fondeve publike. /Telegrafi/