LAJMI I FUNDIT:

ATK kërkon nga sektori gastronomisë dhe këngëtarët të deklarojnë detyrimet tatimore

ATK kërkon nga sektori gastronomisë dhe këngëtarët të deklarojnë detyrimet tatimore

Duke pas parasysh që tani më kemi hyrë në sezonin kur disa sektorë të bizneseve rrisin aktivitetin e tyre, Administrata Tatimore e Kosovës u bënë thirrje të gjithë tatimpaguesve të cilët në aktivitetet e tyre kanë veprimtarinë e gastronomisë/hotelerisë, këngëtarëve, stilistëve, si dhe salloneve të bukurisë, që të deklarojnë saktë detyrimet e tyre tatimore, pasi që në të kundërtën do të duhet të veprojmë sipas thirrjeve ligjore.

“ATK paralajmëron se para se të fillojmë me verifikimet dhe kontrollet tatimore, i bëjmë thirrje të gjithë personave e bizneseve të deklarojnë dhe paguajnë saktë obligimet e tyre të përcaktuara me Legjislacionin Tatimor në fuqi, në të kundërtën ne jemi të obliguar që të fillojmë me verifikime dhe hapjen e kontrolleve tatimore, të cilat mund të rezultojnë me ndëshkimet nga parregullsitë dhe pasaktësitë e hasura”, thuhet në njoftimin e ATK-së.


Sipas ATK-së, sezonit të verës shumëfishohen aktivitetet e lartpërmendura, të cilat bazuar në aktivitetin që kanë, janë si një zinxhir, ku kryesisht janë shumë evidente ndeja të ndryshme, si në restorante ashtu edhe në diskoteka, në të cilat ndërlidhen pjesa e këndimit ose DJ, si dhe përgatitja nga sallonet e bukurisë dhe stilistet.

“Për ketë qëllim ATK ka dizajnuar projektin për Akomodim dhe Shërbime Ushqimore, i cili bazuar në të dhënat e përmbushjes, renditet si njëra ndër industritë me nivel të lartë të mos-përmbushjes së detyrimeve tatimore, andaj edhe është pjesë e planeve specifike të përmbushjes për grupet e identifikuara me rreziqe të larta për vitin 2022”, thuhet në njoftim.

Modulet e ndërtuara përbrenda ATK-së, kanë nxjerrë faktorët të ndryshëm që kanë kontribuar në përzgjedhjen e kësaj industrie si: pagesa/të hyra përgjithësisht të ulëta, pavarësisht numrit të madh të tyre; mos-deklarimi i punëtorëve dhe pagesa cash e tyre; mos-deklarimi apo nën-deklarimi i ahengjeve dhe mos-mbajtja e evidencave lidhur me këngëtarët gjatë mbrëmjeve muzikore; mos-lëshimi i kuponëve fiskal; pagesat po ashtu në cash të realizuara në mes të konsumatorëve dhe bizneseve gjatë organizimit të ahengjeve të ndryshme; si dhe mos mbajtja e tatimit në qira apo nën-deklarimi i saj.