Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Mentor Hyseni, ka pritur në një takim zyrtar Drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

Ky është takimi i parë ndërmjet dy institucioneve, i cili shënon hapjen e një kapitulli të ri në bashkëpunimin institucional.


Sipas ATK-së, qëllimi i këtij bashkëpunimi është forcimi i përpjekjeve të përbashkëta për luftimin e dukurive negative që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

Partneriteti mes ATK-së dhe AKI-së pritet të shtrihet përtej parandalimit të evazionit fiskal, duke adresuar edhe fenomene të tjera që rrezikojnë integritetin ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Të dy drejtuesit theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm, shkëmbimit të informacionit dhe forcimit të kapaciteteve institucionale për mbrojtjen e interesit publik.

Po ashtu, u vlerësua se bashkëpunime të tilla strategjike do të ndihmojnë në rritjen e transparencës, forcimin e besimit qytetar dhe ndërtimin e një sistemi më të drejtë e më të sigurt për të gjithë./Telegrafi/