Asociacioni i Teatrove Publike del në mbështetje të Teatrit “Adriana”: "Të ndalet presioni mbi artin – më 14 qershor mbrojmë lirinë artistike"

Asociacioni i Teatrove Publike të Kosovës ka reaguar fuqishëm ndaj presioneve të fundit institucionale ndaj Teatrit “Adriana” në Ferizaj dhe trupës krijuese të shfaqjes “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, me autor Jeton Nezirajn dhe regji të Agon Myftarit.
Në një deklaratë për media, Asociacioni ka shprehur shqetësimin e thellë dhe solidaritetin e plotë me ekipin realizues të kësaj shfaqjeje, duke theksuar se çdo përpjekje për të kufizuar lirinë artistike, qoftë përmes censurës së drejtpërdrejtë apo mekanizmave të heshtur burokratikë, përbën një kërcënim serioz ndaj vetë themeleve të një shoqërie demokratike.
“Teatrot publike janë hapësira të lira dhe të guximshme të reflektimit, kritikës dhe debatit shoqëror. Arti nuk ka për detyrë të kënaqë, por të sfidojë, të provokojë dhe të nxisë mendimin,” – thuhet në deklaratë.
Asociacioni ka paralajmëruar se çdo tentativë për të kontrolluar krijimtarinë teatrore për motive politike, ideologjike apo moraliste është e papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin. Sipas tyre, përpjekjet për të sabotuar projekte në emër të "vlerave" janë regresive dhe të rrezikshme për zhvillimin e kulturës në vend.
“Sabotimi i projekteve teatrore në emër të ‘vlerave’ është regresiv, i rrezikshëm dhe i papranueshëm”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Në këtë kontekst, Asociacioni ka bërë thirrje publike që institucionet përgjegjëse të reflektojnë menjëherë, të ndalin çdo praktikë penguese dhe të sigurojnë mbështetjen e nevojshme për teatrot dhe artistët.
Së fundmi, ata i janë drejtuar qytetarëve, komunitetit artistik dhe mediave, duke i ftuar të jenë të pranishëm më 14 qershor në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, për të mbrojtur jo vetëm një shfaqje të vetme, por vetë lirinë e artit në Kosovë. /Telegrafi/













































