LAJMI I FUNDIT:

Asnjë shqiptar tek njësiti “Tigrat”, Nuhiu: Ka pasur hile në bazë etnike gjatë punësimeve

Asnjë shqiptar tek njësiti “Tigrat”, Nuhiu: Ka pasur hile në bazë etnike gjatë punësimeve

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Agim Nuhiu thotë nuk është kompetent të përgjigjet nëse duhet të merret masa për policët të cilët kanë torturuar të burgosurit e rastit Sopoti dhe u kanë marrë atyre deklarata me dhunë.

Ndërsa në pyetjen e se pse janë avancuar policë të cilët kanë punuar në mënyrë joligjore, Nuhiu thotë se për këtë nuk është në dijeni.

“Unë nuk jam i njoftuar për rastin se ka avancime të asaj natyre”, tha Nuhiu në një intervisë në TV21.


Gjatë intervistës Nuhiu u pyet se pse në njësinë speciale për detyra të posaçme “Tigrat”, nuk është i punësuar asnjë shqiptarë, ai tha se për këtë gjatë punësimeve ka pasur paragjykime në bazë etnike. Ai gjithashtu tha se ka pasur edhe mungesë të motivimit të shqiptarëve për tu punësuar në këtë njësi.

“Është një realitet se në njësinë speciale për detyra të posaçme nuk kemi të inkuadruar shqiptarë. Këtu kabineti im ka barë vlerësimet e veta dhe kemi ardhur në konstatimin se ka pasur edhe hile, ka pasur edhe paragjykime mbi baza të origjinës kombëtare, por ka pasur edhe neglizhencë dhe mos pasje të motivit edhe të nëpunësve shqiptarë që të inkuadrohen në këtë njësi”, tha Agim Nuhiu.

Për dhunën që ndodhi në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar, Nuhiu gjithashtu refuzoi të komenton përderisa siç tha, rasti është në proces gjyqësor.