LAJMI I FUNDIT:

“Askushi”, “Dikushi” dhe “Zarfi”

“Askushi”, “Dikushi” dhe “Zarfi”

Tash, ndër ne, zarfi ka kuptimin e vet metaforik i cili lidhet me pushtetin e zgjedhur. Kur e hapëm zarfin dhe na doli një emër krejtësisht i panjohur, që rastësisht ishte femër dhe jo rastësisht police, shumëkush u zhgënjye. Pas saj nuk punoi më zarfi, sepse u pa që nuk po jep rezultate ndër oligarkët që kanë pushtet informal më shumë se të gjitha institucionet tona vendore dhe ndërkombëtare bashkë. Prandaj, kreu i radhës erdhi nga vet rruga. Ishte kompromis i detyruar nga rruga. Thanë se do të vinin të festonin në sheshin e kryeqytetit, për zgjedhjen e tij, ende pa u votuar në Parlament. Ardhja masive e paralajmëruar paralajmëronte edhe luftën e mundshme qytetare dhe konfrontimet me opozitën nëpër sheshe, e cila asokohe me protesta të dhunshme po kundërshtonin zgjedhjen e tij për president. Kjo frikë bëri që përfaqësuesit e popullit dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë të popullit të marrin vendim të ruajnë popullin.

Pra, për të ruajtur popullin nga konfrontimi, ata e zgjodhën njeriun e fortë të oligarkisë në krye të shtetit. Por, kujt i kujtohet tashmë kjo. Ndoshta vetëm tash kur ai e ka sfidu krejt klasën politike, institucionet, me lojën e kufijve, edhe pse të gjitha institucionet përbetohen me dhjetëra herë se nuk do të ketë lëvizje kufijsh, derisa fillojnë edhe vet të dyshojnë në fuqinë e tyre.


Nejse, kjo është histori, edhe pak paralajmërim i së ardhmes. Këto zgjidhje lidhen drejtpërdrejtë me kufirin. Do të ketë apo jo zgjedhje? Zgjedhjet edhe zgjidhjet nuk shkojnë gjithnjë bashkë. Mund të ketë edhe zgjedhje “teknike”, po përflasin dëshirat disa. Përndryshe, debatet vazhdojnë pafundësisht në media duke ngritur nivelin e stresit kolektiv.

Gazetarët tanë janë në qendër të vëmendjes edhe kur pushojnë. Dje e pashë një foto të tij në “Story”. Blendi, i famshëm gati sa Batoni, e kishte kapur një peshk sa gjysma e tij. Sa gjysma e vet. “Nuk qenka edhe aq i madh”, do të thotë dikush. I vogël ju duket juve njeriu para të cilit rrëfehen autoritetet? Te ne, para gazetarëve, “korleonët” rrëfejnë mëkatet “Live” dhe duartrokiten!

Jo vetëm se madhësitë janë relative, te ne janë artificiale. Për shembull, ta zëmë se një çast je askushi dhe në mëngjes, pasi je zvarritur, të bëjnë president. Apo e kundërta, je dikushi, zvarritesh, dhe nuk të bëjnë! Me dashtë të bëjnë edhe kryeministër, apo ministër. Populli? Jo mor, ku hyn populli këtu?! E ku dakordohet populli për të duhurit?! Prandaj… zarfi!

Pra, thoshin është askushi, por “Askushi” i thoshte vetes edhe Odiseu dinak kur po e verbonte Polifemin, apo kur po futej nën barkun e deleve për të ikur nga shpella. Kur e pyesnin perënditë, se çfarë ka Polifemi që bërtet, ai më kot u thoshte se e verboi “Askushi”. Askushi pra i ka verbuar të gjithë zyrtarët tanë ballkanik dhe po luan me ta lojën e deleve. Nuk është pra vetëm rrota jonë e mullirit ajo që sillet, dhe buburreci ynë që krekoset se po e sjell. Ngjarja është shumë më e komplikuar kur e sheh nga bregu. Rrota ndërkombëtare është më e komplikuar. Është sikur orë zvicerane ku rrotat mekanike vendosen në raport të tillë që e shtyjnë njëra-tjetrën drejt humnerës ose me “Playback” të kthejnë në fillim. Mjafton të përmenden kufijtë dhe çështja e pazgjidhur kombëtare. Tik-tak bie ora e apokalipsit të paralajmëruar, kur do të shpërthejë sërish fuqia ballkanike e barotit dhe gjithçka do të bëhet rrafsh? Pastaj do të na pacifikojnë sërish dhe pastaj, kuptohet, të pacifikuar do të hyjmë në Evropë.

Epo, nëse bëhet fjalë për të hyrë në Evropë, le të shpërthejë, do të pajtohen të gjithë pak a shumë. Le të na pacifikojnë përsëri dhe përsëri, derisa përfundimisht të paqetohemi krejtësisht me vetveten dhe me njëri-tjetrin, duke u përqafuar si vëllezër, sepse në fund të fundit edhe duhet të jemi të tillë përkundër aq perandorive që kaluan këtej dhe lanë gjurmët e tyre identitare. Dikush la flija, dikush sharkia, dikujt kisha, dikujt xhamia, dikujt teqe e dikujt universitete…

Pra, Askushi është heroi ynë. Ai/ajo që nuk është as me këta, as me ata, as me të tjerët. Mjafton të jetë i pranueshëm nga “Olimpi” ynë politik ndërkombëtar, dhe të na premtojë gjithçka, sidomos mundësinë për të lëvizur, për të shkuar atje… për të ikur nga këtu!

Por, pse “Askushi” domosdo? Mund të jetë edhe “Dikushi” i cili mund të na premtojë se mund të rrimë edhe këtu, e madje edhe të jetojmë mirë?! U pa puna se votimet po na i nxjerrin vazhdimisht të njëjtat numra. Është numër konstant i numrave në shitje. Votimet nuk po prodhojnë ndryshime . Pra, nëse zarfi mbetet opsion i vetëm për ndryshime, çfarë preferoni ju të ju dal nga zarfi? “Askushi” apo “Dikushi”?

Apo, po vazhdojmë me “Playback”!