LAJMI I FUNDIT:

Ashpërsohet lufta për Tripolin, frikë për një “Siri të dytë” (Video)

Ashpërsohet lufta për Tripolin, frikë për një “Siri të dytë” (Video)

Luftimet për të marrë kryeqytetin libian Tripoli kanë shkaktuar 120 viktima gjatë fundjavës.

Deri tani Bashkimi Europian ka tërhequr personelin diplomatik nga Libia dhe në Bruksel frika është e lartë se ky vend në dyert e Europës, mund të kthehet në një Siri të re.


Në luftimet përreth kryeqytetit libian, Tripoli kanë humbur jetën të paktën 121 vetë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 561 të tjerë janë plagosur që nga 4 prilli, kur shpërtheu konflikti i armatosur.

OBSh-ja bëri të ditur se do të ofrojë ndihma mjekësore dhe do të dërgojë punonjës të tjerë në Tripoli, ndërsa shprehu shqetësimin se puna e saj pengohet.

Organizata dënoi “sulmet e përsëritura” ndaj ekipeve të ndihmës dhe të urgjencave në kryeqytetin libian.

Për shkak të luftimeve të ashpra, Bashkimi Europian i tërhoqi punonjësit e misionit ndërkombëtar të sigurimit të kufijve, EUBAM dhe i dërgoi ata në Tunizi.

E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini u bëri thirrje trupave në lindje të Libisë të gjeneralit Khalifa Haftari që të ndërpresin operacionet ushtarake dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve nën drejtimin e OKB-së.

Pavarësisht apelit ndërkombëtar për paqe, gjendja nuk duket të qetësohet.

Kreu i parlamentit libianolindor, Aguila Saleh, bëri të ditur në fundjavë, se gjenerali i rebelëve, Haftari do të vazhdojë ofensivën e tij kundër qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.

Haftari është komandanti i të vetëshpallurës “Ushtria Kombëtare Libiane”.

Njësitë e trupave mbështetëse të qeverisë në Tripoli kanë frenuar deri më tani ofensivën e Haftar-it kundër Tripolit.

Luftimet janë përqendruar së fundmi në një aeroport, 11 kilometra larg qendrës së qytetit, përcjell oranews.tv.

Në Lindje të Libisë, një njësi e Ushtria Kombëtare Libiane përgatitet për të siguruar dy portet kryesore libiane të naftës, Es Sider dhe Ras Lanuf.

Qeveria kundërshtare libianolindore, sipas të dhënave të saj, pret një sulm të grupeve të armatosura besnike të qeverisë në Tripoli.

Nëse kjo ndodh, atëherë në konfliktin libian hapet një front i ri lufte, ndërsa frika është e lartë se Libia mund të kthehet në një Siri të re dhe kjo ndodh në dyert e Bashkimit Europian.