LAJMI I FUNDIT:

ASHAK tha se sistemi i arsimit në gjendje të rëndë, i reagon Jasharaj për rekomandimin e tretë: Në të njëjtën linjë me tendencat e Qeverisë Kurti

ASHAK tha se sistemi i arsimit në gjendje të rëndë, i reagon Jasharaj për rekomandimin e tretë: Në të njëjtën linjë me tendencat e Qeverisë Kurti

Një ditë më parë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) përmes një letre dërguar mediave ka shprehur shqetësim për gjendjen e rëndë në arsimin e Kosovës në të gjitha nivelet, ndërkaq ka ritheksuar nëntë masa emergjente që duhet ndërmarrë. 

Lidhur me këto masa, saktësisht me rekomandimin e tretë të ASHAK-ut, ka reaguar sot Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.


Rrahman Jasharaj nga SBASHK-u ka reaguar për pikën, ku thuhet se organizimi sindikal i mësuesve dhe arsimtarëve duhet urgjentisht të depolitizohet dhe të mos jetë vendimmarrës në procesin arsimor.

“Pas publikimit të rezultateve të testit PISA dola publikisht përmes medieve të nderuara dhe apelova në emër të gjithë të punësuarve në arsim, që nga çerdhet e deri në universitete, që ministrja Nagavci të lë inatet dhe të bëj bashkë e një tryezë përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave e Arteve, SBASHK-un, përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve, ekspertët e mirëfilltët arsimit dhe palët tjera për të bashkëbiseduar e për të krijuar një trase për angazhimet e përbashkëta në shërbim të ngritjes së cilësisë në arsim e për të dalë më mirë edhe në testin ndërkombëtar PISA.

Prita se kështu do të ndodh, por ja që më në fund, Akademia e Shkencave e Arteve e Kosovës foli dhe në vend të insistimit për një takim të përbashkët, doli me ca rekomandime”, thuhet në reagim.

“Unë, në cilësinë e kryetarit të SBASHK-ut, gjithë rekomandimet tjera të ASHAK- së, po ua lë debateve të ekspertëve dhe të ekspertëve në thonjëza të arsimit, por nuk kam si të mos reagoj për pikën e tretë e që ka të bëj me deklarimin e ASHAK-së për organizimin sindikal e në të cilën thuhet ‘Organizimi sindikal i mësuese dhe arsimtarëve duhet urgjentisht të depolitizohet dhe të mos jetë vendimmarrëse në procesin mësimor’”, thuhet më tej.

Sipas tij, disa nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës duke u marrë me shkencë e më shumë me politikë nuk kanë pasur kohë të lexojnë Ligjin për organizimin sindikal dhe të hulumtojnë  edhe për realitetin e historikut e angazhimeve të SBASHK-ut.

“Sindikata jonë u themelua si kërkesë e kohës për të mbrojtur arsimin shqip në vitet e 90-ta kundër furtunave të pushtuesit dhe këtë e bëri me mund e sakrifica bashkë me Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë ‘Naim Frashëri’ dhe me aktivet e drejtorëve të shkollave dhe këshilltarët e nderuar pedagogjik. Qëndruam me vite e dekada duke u përballur me sfida dhe ishim e mbetemi zë i anëtarësisë sonë.

Deklarimi juaj, si rekomandim, është në të njëjtën linjë me tendencat e Qeverisë Kurti, që duke pasur mision të shuaj sindikatat, e veçmas SBASHK-un ngriti akuza me shpifje se jemi të atyre apo të këtyre”, thuhet në reagimin e Jasharajt.

“Kryesi e nderuar e ASHAK-së po të njihnit realitetin në Kosovë nuk do ta shkruanit pikën tre, as për hatër të Albinit sepse është urdhër për depolitizim e pa ndodhur kurrë politizimi.

ASHAK kuptojeni se anëtarë në SBASHK janë të punësuarit në arsim, që nga çerdhet e deri në universitete, por edhe shumë nga institucionet e nderuara të kulturës. Këta të punësuar jetojnë në tërë territorin e Kosovës dhe janë votues të partive të ndryshme sipas vullnetit të tyre.

Ata janë votues të partive të ndryshme, por në SBASHK jemi betuar të gjithë ta ruajmë unitetin duke u nisur nga Bashkë e në SBASHK. Unë, që të mos ju mbetem borxh në deklarime ju bëj apel që Ju të depolitizoheni sepse jeni mendja dhe dija e këtij vendi”, thuhet në fund të letrës së SBASHK-ut.

Kosova pothuajse "në fund të pusit", publikohen rezultatet e testit PISA
Lexo po ashtu Kosova pothuajse "në fund të pusit", publikohen rezultatet e testit PISA

Ndërkaq, të premten Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) përmes një letre dërguar mediave ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen e rëndë në arsimin e Kosovës në të gjitha nivelet.

“Tani, ashtu sikundër pritej, testi i PISA-s nxori në sipërfaqe një vlerësim jo pozitiv për gjendjen e arsimit në Kosovë. Të gjithë në një mënyrë ishim të vetëdijshëm se kjo do të ndodhte, se situatën në arsim e kemi alarmante, vetëm se ne nuk duam të kuptojmë se, në një mënyrë ose në një tjetër, të gjithë jemi përgjegjës për një gjendje të këtillë: shoqëria dhe shteti; çdo organizëm shoqëror; të gjithë segmentet e tij; vetë sistemi arsimor, nxënësit, arsimtarët, prindërit, institucionet vendimmarrës dhe ligjzbatuese”, thuhet në komunikatën e ASHAK-ut.

Sipas Akademisë, në emër të një demokracie të keqkuptuar, ne e kemi liberalizuar shkollën aq shumë, sa që sistemin arsimor e kemi bërë kaotik dhe e kemi kthyer në “ndërmarrje vullnetare”, me mundësi ndërhyrjesh nga të gjitha anët, duke harruar se sistemi arsimor është konvencional dhe se shkolla është detyrim.

Lidhur me këtë situatë, Kryesia e ASHAK i ka ritheksuar si më poshtë masat emergjente që duhet ndërmarrë në sistemin arsimor të Kosovës:

E para, sistemi arsimor i Kosovës duhet të jetë unik dhe i pandarë në nivele të ndryshme të qeverisjes. Shteti me institucionet e tij qendrore duhet të marrin në dorë shkollën me të gjitha segmentet e saj,  sepse decentralizimi i keqpërdorur është pararendje për kaos, anarki dhe shthurje. Kjo kërkon një ndryshim substancial në Ligjin për shkollimin parauniversitar.

E dyta, sistemi shkollor duhet të depolitizohet në tërësinë e tij, sepse politizimi i shkollës është faktori kryesor që ka shkaktuar kaosin në shkollë dhe në të gjitha nivelet e arsimit. Fajtorë për këtë gjendje janë njësoj, si pozita si opozita, sepse opozita e sotme ishte pozitë e djeshme dhe anasjelltas, në një kohë që degradimi i shkollës është një proces që ka zgjatur gjatë gjithë kësaj periudhe.

E treta, organizimi sindikal i mësuesve dhe arsimtarëve duhet urgjentisht të depolitizohet dhe të mos jetë vendimmarrës në procesin arsimor. Sindikatat dhe këshillat e prindërve nuk mund të marrin vendime që bien ndesh me ligjin.

Rezultati i dobët në testin PISA, Akademia e Shkencave dhe Arteve propozon masat emergjente në arsim
Lexo po ashtu Rezultati i dobët në testin PISA, Akademia e Shkencave dhe Arteve propozon masat emergjente në arsim

E katërta, në asnjë sistem shkollor, në këtë fazë që jemi ne, nuk mund të bëhet aq relativ dhe i parëndësishëm vijimi dhe vlerësimi (nota). Vijimi është përgjegjësi e prindërve në rend të parë, të cilët, me një lehtësi të madhe i privojnë fëmijët e tyre nga shkolla, duke i hequr nga procesi mësimor me orë dhe me ditë të tëra. Më anë tjetër, vlerësimi (nota) duhet të kthehet me krejt peshën e tij në shkollë dhënë sistemin arsimor.

E pesta, procesi edukativ si segment i rëndësishëm i shkollës duhet të jetë më rigoroz dhe më substancial. Në shkollat tona është futur delikuenca dhe kriminaliteti. Me këtë problematikë duhet të merren të gjitha institucionet e shtetit dhe organet e rendit.

E gjashta, statusi i mësuesit dhe arsimtarit duhet të ndryshojë urgjentisht. Ata duhet të vlerësohen për punën e tyre, por para së gjithash duhet të aftësohen profesionalisht dhe të rindërtojnë figurën e tyre.

Ata duhet t’i nënshtrohen licencimit dhe proceseve të tjera që lidhen me aftësitë e mësimdhënies, performancën dhe meritokracinë. Mësimdhënësit që dëshmojnë aftësi dhe përkushtim, duhet të diferencohen edhe në pikëpamje financiare.

E shtata, niveli qendror i institucioneve arsimore duhet të shtojnë ekipet e kontrollit dhe të inspektimit nëpër të gjitha shkollat e vendit, për të vlerësuar nivelin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies, duke identifikuar përgjegjësit e dështimeve dhe duke i ndëshkuar ata.

E teta, niveli qendror i institucioneve arsimore, me germë dhe me normë, po ashtu ka detyrimin për të përcjellë nivelin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies edhe në të gjitha shkallët e arsimit privat në mbarë territorin e shtetit të Kosovës.

E nënta, duhet të fillojë urgjentisht digjitalizimi i shkollës, i cili duhet të ndryshojë metodën e mësimit, së pari duke pajisur shkollat me internet dhe secilin mësimdhënës me kompjuter dhe, së dyti, duke i aftësuar ata në krijimin e një sistemi komunikimi shkollë-prindër-nxënës. Faza e dytë e digjitalizimit do të nënkuptonte pajisjen e të gjitha mësonjëtoreve me kompjuter për secilin nxënës. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Siguri
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Kalo në kategori