Aleanca për Shqiptarët përmes një reagimi thonë se prej muajsh po grumbullohen raste, të dhëna dhe ankesa që ngrenë pikëpyetje serioze për mënyrën se si po realizohen punësimet dhe avancimet në institucionet shtetërore.

Sipas ASH-së, pretendimet e VLEN-it për meritokraci dhe mbi 2.500 punësime e avancime duhet të shoqërohen me transparencë të plotë dhe me publikimin e të dhënave për çdo institucion, konkurs dhe pozitë.


Reagimi i plotë i ASH-së:

Prej muajsh po grumbullohen raste, shifra dhe ankesa që ngrenë pikëpyetje serioze për mënyrën se si po bëhen punësimet dhe avancimet në institucionet shtetërore.

VLEN flet për meritokraci, përfaqësim dhe mijëra punësime e avancime. Atëherë le t’i publikojë të gjitha. Institucion për institucion. Konkurs për konkurs. Vend pune për vend pune.

Sepse shifrat e publikuara deri tani tregojnë një realitet krejt tjetër.

Në një seri prej 136 punësimesh në institucione shtetërore, vetëm 5 ishin shqiptarë. Në një tjetër analizë të 205 punësimeve dhe avancimeve, vetëm 2 rezultonin shqiptarë. Në NOMAGAS, nga 102 punësime të raportuara, vetëm 19 shqiptarë.

Para pak ditësh pamë edhe rezultatin në Shkollën e Mesme të Policisë. 310 të pranuar dhe vetëm rreth 9 shqiptarë.

Tani kemi edhe rastin e Mevludin Amidit në Postën e Maqedonisë, i cili pretendon se pavarësisht arsimit të lartë dhe përvojës shumëvjeçare është anashkaluar në avancim, ndërsa të tjerë me nivel më të ulët arsimor janë avancuar. Ai tashmë ka dorëzuar ankesë zyrtare dhe kërkon transparencë për kriteret.

Ndërkohë VLEN pretendon se ka realizuar mbi 2.500 punësime dhe avancime.

Mirë.

Publikojeni listën.

Në cilat institucione?Sa janë punësime të reja dhe sa avancime?Sa prej tyre janë shqiptarë?Në çfarë pozita janë punësuar?Sa janë në pozita udhëheqëse?Cilat kanë qenë kriteret?

Punësimi publik nuk është pronë e VLEN-it, as e OBRM-PDUKM-së dhe as e cilësdo parti tjetër.

Shqiptarët nuk kërkojnë favore. Kërkojnë mundësi të barabarta, transparencë dhe respektim të meritës.
VLEN erdhi duke premtuar ndryshim.

Pas dy vitesh, është koha të publikojë shifrat dhe të japë llogari.