LAJMI I FUNDIT:

ASAJ

ASAJ

Nga: Mit’hat Frashëri

Më pyete pse të dua, dhe unë qesha.

Qesha, tanimë po mendohem dhe them: Pse të dua?


Të dua për atë të qeshur të bukur, kur të shkëlqen syr’ i kthjelltë nën ballë të qëruar; të dua për ato leshra ku është pështjellë gjithë thellësi e natës dhe për atë vështrim ku lexohet gjith gaz’ i ditës; për atë vështrim q’është si një yll’ i lumturisë; të dua se kur flet, ay zë më zgjon në zemrët time gjithë zërat e fshehtë të shpirtit, të dua se prapë teje e ndjej veten time të madh dhe të fortë, se në dashurit tënde shoh zbardhëllimin e jetës.

Po, të dua se, tekdo, me gëzim të fatbardhësisë a në t’errët të helmit, në qeshje të mëngjesit, në tym të të mugëtit, në ngjyrë të lules a në përkëdhelje të veriut, tekdo, o e dashura ime, ty të gjej dhe ty të shoh; të dua, se edhe kur të zbres në thellësi të shpirtit dhe në fund të zëmrës, edhe atje thellë të gjej.