LAJMI I FUNDIT:

Arti i errët i ‘cicërimave’ të Trumpit

Arti i errët i ‘cicërimave’ të Trumpit

Kritikët e presidentit Donald Trump i kanë nënvlerësuar vazhdimisht aftësitë e tij politik të komunikimit, mbase ngaqë ai është kaq i ndryshëm nga paraardhësit si Franklin D. Roosevelt dhe Ronald Reagan. Si Roosevelti dhe Reagani, në fund të fundit, njiheshin si “komunikues të mëdhenj”.

Megjithëse segmente të mëdha të popullit amerikan i urryen ata, Roosevelt dhe Reagan i drejtoheshin popullit amerikan si një i tërë dhe u përpoqën t’i bënin apel qendrës. Trump, përkundrazi, i ka bërë thirrje kryesisht minoritetit që e ka zgjedhur atë. Fjalimi i tij i inaugurimit ngjante si një fjalim fushate dhe pasi mori detyrën, një seri deklaratash false dhe urdhrash ekzekutivë provokues e kanë pakësuar besimin ndaj tij nga qendra por e kanë forcuar atë të bazës që ai kishte krijuar.


Aftësitë komunikuese të Trumpit u mprehën në botën e programeve “reality show”, ku deklaratat fyese dhe provokative argëtojnë audiencat dhe rrisin shikueshmërinë. Ai përdori këtë qasje gjatë raundit të parë të kandidaturës republikane për të tërhequr vëmendjen ndër 17 kandidatë. Nga një vlerësim, Trumpi merr rreth dy miliardë dollarë reklamim televiziv falas, duke e tejkaluar 100 milionë dollarë reklama të paguara që mblodhi rivali i tij republikan Jeb Bush.

Pasi ai fitoi nominimin republikan, shumë prisnin që Trumpi të ndiqte rrugën tradicionale të lëvizjes në qendër për zgjedhjet e përgjithshme. Sërish, ai i sfidoi pritshmëritë dhe u përqendrua në një fushatë populiste në segmente të popullsisë që kishin humbur vendet e punës ndaj konkurrencës globale; dhe/ose nuk toleronin ndryshimet kulturore që kishin ndodhur gjatë dekadave të fundit. Ky apel populist u shënjestrua siç duhet dhe ai fitoi Kolegjin Elektoral, pavarësisht se humbi me votë popullore prej rreth tre milionë votuesish. Por, për 100 mijë vota në shtetet e mes-perëndimit, ai nuk do të bëhej president.

Duke marrë parasysh këtë, shumë vëzhgues prisnin që ai ta drejtonte mesazhin e tij në qendrën politike pasi mori detyrën. Por sërish Trump i shmangu ekspertët, duke vazhduar të shënjestrojë bazën e tij të votuesve. Disa spekulojnë se ai synon të ndërtojë një parti të re populiste të votuesve të klasës punëtore (ish të ashtuquajturit demokratë të Reaganit) dhe Partinë e Republikanëve Konservatorë.

Trumpo gjithashtu rezultoi i pazakontë në zgjedhjen e tij të instrumenteve të komunikimit. Teknologjitë e reja hapën mundësi të reja. Roosevelt përdori me kujdes komunikimin me publikun përmes transmetimit radio. Reagani ishte një mjeshtër i fjalimit dramatik në televizion. Stafi i Shtëpisë së Bardhë nën Reaganin e mbante mesazhin e administratës të përqendruar në çështjen prioritare të ditës ose javës. Trumpi përdori Twitterin, përveç mjeshtërisë së tij në televizionin kabllor, për të kapërcyer në kokat e stafit dhe shtypit dhe për të drejtuar agjendën publike gjatë fushatës.

Për çudi të shumëkujt, Trumpi e ka vazhduar praktikën edhe në Shtëpinë e Bardhë. Përdorimi i Twitterit nuk ishte i ri – Obama kishte një llogari me staf të plotësuar – por përfshirja personale e Trumpit ngriti pyetje rreth mënyrës se si duhej të menaxhoheshin lajmërimet e politikave nga Shtëpia e Bardhë dhe si të shpreheshin çështjet e ngatërruara (si armët bërthamore) në 140 shkronja. Por, si një mjet për të komunikuar me bazën e tij dhe për ta mbajtur vëmendjen të përqendruar te vetja, qeverisja nga Twitteri i ka lejuar atij të anashkalojë Kongresin dhe shtypin.

Komunikimi politik ndryshon me kohën dhe ka shumë mënyra për të komunikuar efektivisht. Grekët e lashtë kishin shkolla të retorikës për të mprehur aftësitë e tyre për mbledhjet. Cicëroi la gjurmë në Senatin Romak pasi studioi oratori. Willson nuk ishte një nxënës i talentuar në fëmijëri, por ai ia doli me sukses t’i mësojë vetes oratorinë sepse e shihte si thelbësore për lidershipin. Winston Churchill shpesh ia atribuoi suksesin e tij perfeksionimit të leksikës së anglishtes. Martin Luther King, i riu. përfitoi nga rritja në një traditë kishtare afrikano-amerikane të pasur me ritme të fjalës së folur.

Për disa është më e lehtë se për të tjerë. Mario Cuomo, ish-guvernator i New Yorkut, dikur krahasoi Bill dhe Hillary Clinton: “Ajo është më metodiste dhe ai më teatral”.

Oratoria dhe retorika, megjithatë, nuk janë format e vetme të komunikimit politik efektiv. Sinjalet joverbale janë një përbërës i rëndësishëm gjithashtu. Disa liderë frymëzues nuk ishin oratorë të mëdhenj – për shembull Mahatma Gandi. Por simbolizmi i veshjes dhe stilit të tij të jetesës së thjeshtë folën më shumë se fjalët. Nëse krahasohen këto imazhe me fotot e Gandit të ri, të pasigurt dhe të veshur si një avokat britanik, bëhet e dukshme se sa me kujdes e kuptoi ai komunikimin simbolik.

Po këtë bën dhe Trumpi, sipas mënyrës së tij. Shihni kapelën e tij të kuqe të bejsbollit gjatë fushatës me sloganin “Ta bëjmë Amerikën Madhështore Sërish”, si dhe fiksimin e tij në etiketimin e vetes si një biznesmen dhe përdorimin e Twitterit.

Por, përveç komunikimit me audiencat e largëta përmes simboleve dhe retorikës, liderët duhet të kenë aftësinë të komunikojnë tek e tek dhe në grupe të vogla. Në disa raste, ky komunikim i ngushtë është më i rëndësishëm se retorika. Aftësia organizative – aftësia për të tërhequr dhe menaxhuar një kabinet efektiv – është e vështirë për t’u kombinuar me qeverisjen në Twitter. Harry Truman ishte një orator modest, por e kompensoi mungesën e retorikës publike duke tërhequr dhe menaxhuar një grup këshilltarësh të aftë.

Ofrimi i një shembulli të mirë është një tjetër formë thelbësore e komunikimit për liderët. Duke parashikuar një reagim skeptik të publikut kur Singapori ngriti rrogat e zyrtarëve të qeverisë në 2007, kryeministri Lee Hsien Loong lajmëroi se ai nuk do ta pranonte ngritjen e rrogës për veten. Në terma të simboleve të lidhura me konfliktet e interesit, Trumpi nuk e ka perfeksionuar ende artin e komunikimit politik.

Deri më tani, Trumpi është provuar të jetë një komunikues politik më efektiv nga sa prisnin kritikët e tij. Por nëse ai do të ketë sukses në term afatgjatë me qasjen e tij të pazakontë, kjo është një pyetje e madhe me të cilën përballet presidenca e tij.

Në trend

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Tërmet i fuqishëm në Turqi - raportohet për dëme materiale

Tërmet i fuqishëm në Turqi - raportohet për dëme materiale

Turqia
Emiliano Martinez shmang përjashtimin gjatë gjuajtjes së penalltive falë një rregulli pak të njohur – ai ngacmoi tifozët e Lille

Emiliano Martinez shmang përjashtimin gjatë gjuajtjes së penalltive falë një rregulli pak të njohur – ai ngacmoi tifozët e Lille

Ligat tjera
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Ai është më i rëndësishëm se sa mendojnë tifozët e futbollit  - djali i Ancelotti kyç në dhomën e Real Madridit

Ai është më i rëndësishëm se sa mendojnë tifozët e futbollit - djali i Ancelotti kyç në dhomën e Real Madridit

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori