Arthur Melo është rishfaqur sërish këtë javë në kampusin stërvitor të Juventusit në Continassa, por kthimi i tij nuk ngjall asnjë entuziazëm te tifozët bardhezi. I transferuar me shumë bujë nga Barcelona në verën e vitit 2020, braziliani mbetet simboli i një strategjie të gabuar të drejtimit të klubit.

Në atë marrëveshje shkëmbimi me Barcelonën, Arthur u vlerësua me 72 milionë euro (plus 10 milionë bonuse), ndërsa Pjanić shkoi në drejtim të kundërt për 60 milionë euro (plus 5 milionë bonuse).


Në letër, Juventusi përfitoi afro 42 milionë euro në balancat financiare, por praktikisht ky operacion u shndërrua në një barrë afatgjatë.

Arthur Melo Juventus F365

Arthur nuk arriti të imponohej asnjëherë. Ai u soll me kërkesë të Maurizio Sarrit, i cili u shkarkua menjëherë pas, dhe as Andrea Pirlo e as Massimiliano Allegri nuk i besuan. Kontrata e tij e majme – 8 milionë euro neto në vit – e bëri të pamundur shitjen e tij.

Në sezonin 2022/23, Liverpooli tentoi ta ringjallte, duke paguar 4.5 milionë euro për huazimin dhe duke mbuluar të gjithë pagën e tij. Por aventura angleze përfundoi si dështim total.

Ai ishte në Fiorentinë dhe Girona  

Në verën e vitit 2023, Arthur pranoi një kontratë të re trevjeçare me pagë të reduktuar në 5 milionë neto dhe u huazua te Fiorentina, që pagoi 2 milionë euro dhe mbuloi gjysmën e pagës. Edhe aty pati një fillim premtues, por u zhduk shpejt nga formacioni.

Në janar 2024, pas katër muajve jashtë planeve, u huazua te Girona për vetëm 700 mijë euro dhe me një ulje shtesë të pagës. Kontrata me Juventusin u shty deri në 2027, por edhe në La Liga nuk arriti të bindë klubin spanjoll për një blerje përfundimtare.

Tani është kthyer sërish në Torino, me një kontratë që i kushton Juventusit afro 5 milionë euro bruto në vit, ndërsa vlera e papërfunduar në amortizim arrin rreth 11 milionë euro.

Një investim që u kthye në makth

Në total, Juventusi ka paguar afro 100 milionë euro për Arthur Melon – 72 milionë për kartonin dhe 30 milionë të tjera në pagë. E gjithë kjo për një lojtar që ka qenë më shumë i pranishëm në seancat e para të fotove sesa në fushë.

Arthur ishte një talent premtues kur u transferua nga Gremio te Barcelona për 31 milionë euro në vitin 2018 dhe ishte pjesë e rregullt e kombëtares braziliane. Por, dëmtimet e shpeshta dhe mungesa e disiplinës profesionale ia ndalën hovin karrierës.

arthur juventus valencia

Për Juventusin, ai është kthyer në një simbol të një politike transferimesh të dështuar, që tani kërkon një dalje – qoftë edhe me humbje – për ta mbyllur përfundimisht këtë kapitull të hidhur. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app