Kryetarja e Bashkisë së Shkupit dhe kryetarja e BNJVL-së, Danela Arsovska, sot në ditën kur shënohen 50 vjet nga ekzistenca e BNJVL-së, në të cilin u mbajt seanca e dytë e Kuvendit të Përgjithshëm të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale në mandatin e ri, në fjalën e saj para të pranishmëve iu referua sfidave më të mëdha me të cilat po ballafaqohen njësitë e vetëqeverisjes lokale muajt e fundit. Ndikimi negativ i krizës energjetike, e cila vazhdon të përbëjë një kërcënim serioz për zhvillimin e planifikuar dhe likuiditetin e të gjitha komunave, ndërprerja e kontratave nga ana e furnizuesve të licencuar të energjisë elektrike bëri që shumë komuna të përballen me shpenzime të larta të energjisë elektrike dhe me probleme të tjera lokale, ishin në fokusin e raportit ndërmjet dy seancave të Kuvendit të Përgjithshëm.

“Masat e propozuara nga ne për tejkalimin e situatës iu dorëzuan Qeverisë me qëllim vendosjen e dialogut për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për këtë krizë. Qëndrimet e BNJVL-së i kemi prezantuar edhe para publikut. Ne mbajtëm një takim me Qeverinë më 18 janar. Deri më tani nuk ka konkluzione konkrete për mbështetjen e komunave, megjithëse kërkesat tona ishin masa konkrete për tejkalimin e krizës energjetike, veçanërisht për komunat e vogla ku ekziston rreziku më i madh për ruajtjen e likuiditetit. Situata është alarmante, por deri në këtë moment nuk ka një përgjigje konkrete”, sqaroi kryetarja Arsovska.

Ajo theksoi se është rrezikuar likuiditeti i vetëqeverisjes lokale, janë vënë në pikëpyetje projektet që duhet të përmirësojnë shërbimet e komunave ndaj qytetarëve, ndërsa borxhet e shkaktuara nga rritja e çmimit të energjisë elektrike janë në rritje.

“Këshilli drejtues diskutoi edhe për zgjidhje të tjera për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në njësitë e qeverisjes lokale dhe të njëjtat janë inkorporuar në qëndrimet e rishikuara të sistematizuara të BNJVL-së. Këto qëndrime dhe kërkesa u janë dorëzuar të gjitha komunave, të cilat kishin mundësi t’i shqyrtojnë dhe të japin mendimet dhe sugjerimet e tyre”, tha Arsovska.

Arsovska shtoi se në konsultim me të gjitha komunat, Këshilli drejtues e kushtëzoi draftin e ri të Memorandumit për Bashkëpunim të dorëzuar në Qeveri, sepse Memorandumi aktual është lidhur pothuajse 20 vite më parë, në vitin 2003.
– Do të insistojmë për negociata sa më intensive me Qeverinë, do të propozojmë iniciativa të shumta për ndryshime ligjore, për stabilitet më të madh financiar, për marrjen e kompetencave më të mëdha. Jam optimiste se do të kemi rezultate që vetëqeverisja lokale ta marrë vendin që e meriton – tha Arsovska në seancën e sotme të Kuvendit të Përgjithshëm të BNJVL-së./Telegrafi/