Klubi i futbollit Arsimi nga Çegrani ka lëshuar dy pikë në shtëpi, duke barazuar 1-1 ndaj Makedonija Gj.P në kuadër të javës së 20-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut. Një rezultat që nuk ishte në planet e skuadrës vendase, sidomos pas fitores bindëse një javë më parë ndaj Shkupit, që kishte rritur pritshmëritë për një tjetër trepikësh, njofton Telegrafi.

Takimi nisi me ritëm të mirë dhe me qasje ofensive nga Arsimi, që kërkonte të impononte lojën dhe të konfirmonte formën e javëve të fundit. Megjithatë, një moment pakujdesie në mbrojtje i kushtoi shtrenjtë vendasve, Aydogan përfitoi nga gabimi duke kaluar mysafirët në epërsi.


Reagimi i Arsimit ishte i menjëhershëm dhe me karakter. Vetëm pak minuta më vonë, skuadra u hodh përpara dhe gjeti golin e barazimit me një supergoditje të Armin Beshagiçit nga mbi 25 metra.

Në pjesën e dytë, mysafirët tentuan të marrin iniciativën në minutat e para, por mbrojtja e Arsimit qëndroi kompakte. Loja më pas u zhvendos kryesisht në mesfushë, me pak hapësira dhe me duele të shumta fizike.

Pas këtij takimi, Arsimi mbetet në vendin e pestë me 26 pikë dhe në xhiron e ardhshme do të presë Tikveshin në shtëpi. Sot luajtën edhe Tikveshi – Sileksi, ku këta të fundit morën tri pikë pas fitores minimale 0:1. Dje Struga – Vardari 1:1, Rabotniçki – Shkupi 3:0, ndërsa të premten Bashkimi u mund në shtëpi nga AP Brera 0:2. Java do të kompletohet nesër me duelin Shkëndija – Pelisteri që luhet me fillim në ora 14:00. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app