Arsim Papraniku në PodGo: Me "Balfin Group" në Maqedoni kemi 11 kompani me rreth 730 të punësuar

Afaristi Arsim Papraniku është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për bizneset e tij, ekonominë e Maqedonisë, si dhe çështjet politike.
Ai tha se me Balfin Group është i shtrirë në shumë shtete, ndërsa paralajmëroi edhe risi në Maqedoni dhe vende tjera.
"Fillimi i gjithë suksesit që kemi arritur në Maqedoni filloi nga Neptuni. Në Maqedoni kemi 11 kompani, rreth 730 punëtor me gjithë kompanitë. Ajo që mund ta theksoj është Flying Tiger, i cili është brend dhe koncept i ri. Kemi marrë licencë për në Maqedoni, ndërsa paralelisht jemi zgjeruar edhe në Kosovë e Shqipëri. Vitet tjera planifikojmë të zgjerohemi edhe në Bosnjë, Rumani, Serbi dhe shtete tjera".
"Neptuni dhe East Gate janë ndër bizneset tona më të mëdhaja. East Gate është qendra tregtare më e madhe në vend. Më pas kemi East Gate living, që është kompleks banesor. Ka interesim për të blerë banesa pasi është koncept unik. Jemi të lumtur për atë projekt", tha Papraniku.
Ai tregoi se vitin e ardhshëm do të ketë risi të shumta, ndërsa për ne ekskluzivisht i zbuloi tre projekte.
"Vitin e ardhshëm do të kemi tre risi. Do të sjellim Kiabin, është brend francez dhe në mot do të jetë në pesë shtete tjera, në mesin e të cilëve edhe Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Brendi i dytë që po fokusohemi dhe 99 përqind ëstë përfunduar biznes plani dhe negociatat, është brendi polak CCC, që është brend për shitjen e këpucëve. Dhe superatraksion do të jetë hiperactiva, do të hapet në East Gate në vitin 2026 dhe do të jetë unike për shtetin e Maqedonisë", tha Papraniku.
E pyetëm edhe për lajmet politike, me të cilat ai ka qenë i lidhur, gjegjësisht ato se ai e ka nxjerrë Artan Grubin jashtë Maqedonisë, ai tha se nuk dëshiron të flasë për këtë dhe se të gjitha i ka thënë aty ku është dashur.
"Nuk dua të flas për atë përvojë, nuk ishte përvojë e mirë. Gjithë atë që kisha për të thënë e thash aty ku duhet. Me kaq e kisha mbyllur këtë", tha Papraniku.
Kurse sa i përket ekonomisë së Maqedonisë dhe këshillat që ai do t'ua jepte politikbërësve, Papraniku theksoi disa gjëra.
"E para çfarë nuk shoh për momentin është se nuk ka vullnet politik për të zgjidhur disa punë, jo vetëm në Maqedoni, por në gjithë Ballkanin. Nuk ka vullnet politik për të marrë reforma të frikshme. Mendoj që administrata në përgjithësi duhet të shkurtohet, pasi harxhon mjete dhe nuk është efektive. Pra e para është investimi në burime njerëzore dhe e dyta që do të bëja është investimi në turizëm dhe bujqësi. E treta partitë politike i ndërrojnë konceptet për afatgjatë, nëse ka pajtim për tre pika, ata do të duhet t'i mbahen asaj. Tjetra do të ishte investim në segmentin IT", tha Papraniku./Telegrafi/


































