Arsenali nuk lejon largime, Arteta: Duam përforcime tjera gjatë janarit

Trajneri Mikel Arteta ka pranuar se vala e fundit e lëndimeve e ka detyruar Arsenalin të mbyllë derën për çdo largim gjatë janarit, pasi skuadra tashmë po funksionon në limit me lojtarët e gatshëm.
Ai shpjegoi se situata është e vështirë dhe se klubi nuk mund të rrezikojë të humbasë asnjë futbollist në këtë fazë të sezonit.
“Në këtë moment, kemi pasur situatën e lojtarëve që kanë qenë jashtë skuadrës për tre ose katër javë rresht. Kështu që e dimë që skuadrën që kemi, po e plotësojmë me lojtarët që janë të gatshëm. Për momentin, është shumë e qartë që nuk ka opsion që të bëjmë një gjë të tillë (të shesim një lojtar)”.
Nga ana tjetër, klubi anglez mbetet i hapur për përforcime të reja, por vetëm nëse paraqitet një mundësi reale që e përmirëson ose e mbron skuadrën në këto rrethana.

“Në momentin që kemi një opsion për të prekur skuadrën, për ta përmirësuar ose për ta mbrojtur, në varësi të asaj që ndodh, mendoj se duhet të jemi të hapur për këtë”.
Tekniku spanjoll shtoi se periudha deri në mbylljen e merkatos është e paparashikueshme dhe se Arsenal duhet të jetë i gatshëm t’i përgjigjet çdo zhvillimi, duke pasur parasysh rrezikun që sjellin lëndimet e shumta.
“Nga ajo që mund të ndodhë nga tani deri në mbylljen e afatit, është futboll. Ne sigurisht do të jemi të vëmendshëm dhe e dimë se ku qëndron rreziku për skuadrën, që të jemi gati nëse duhet të bëjmë diçka”.
Ndërkohë, Arsenali në vikend do të jetë mysafir i Aston Villas./Telegrafi/




















































