Arsenali ka bërë një lëvizje befasuese në afatin kalimtar duke hapur bisedimet me Crystal Palace për transferimin e Eberechi Eze.

Ky hap vjen pas lëndimit të gjurit që pësoi Kai Havertz, çka ka detyruar klubin londinez të veprojë shpejt në treg për të forcuar repartin ofensiv.


Sipas raportimeve të David Ornstein, drejtuesit e Arsenalit kanë nisur negociatat si me klubin e Crystal Palace, ashtu edhe me përfaqësuesit e lojtarit, duke i ofruar 70 milionë euro.

Oferta përfshin kushte më të lehta për bonuse dhe skema pagese më të shpejta, me synimin për të bindur Crystal Palace dhe për të kaluar konkurrencën e Tottenhamit.

Burimet e afërta me negociatat tregojnë se pas bisedimeve të sotme, Arsenali është gjithnjë e më i bindur se Eberechi Eze preferon kalimin te “Topçinjtë” në vend se te Tottenham.

Ky faktor shihet si vendimtar për të përshpejtuar procesin dhe për të përmbyllur marrëveshjen sa më shpejt.

Tottenham, megjithatë, nuk ka hequr dorë dhe vazhdon të ndjekë nga afër situatën, pasi edhe ata e kanë Ezen në listën e përforcimeve kryesore për këtë verë. Lufta mes dy rivalëve të veriut të Londrës pritet të jetë një nga betejat më të nxehta.

Tani mbetet të shihet nëse Crystal Palace do të pranojë ofertën e Arsenalit, apo do të kërkojë kushte më të favorshme. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app