Barcelona ka arritur marrëveshje të plotë me Eric Garcian për rinovimin e kontratës së tij deri në qershor të vitit 2030, sipas ekspertit të transferimeve Fabrizio Romano.

Nënshkrimi zyrtar pritet të finalizohet javën e ardhshme, me klubin që tashmë po përgatit njoftimin publik.


Garcia, kontrata aktuale e të cilit skadonte në vitin 2026, ishte futur në radarin e Paris Saint-Germain, që po mendonte të siguronte kartonin e tij me transferim të lirë verën e ardhshme.

Por Barcelona reagoi me shpejtësi për të blinduar një nga lojtarët më të gjithanshëm të skuadrës së Hansi Flick.

Ky rinovim paraqet një kthesë të madhe në karrierën e mbrojtësit spanjoll, i cili nga një lojtar periferik sezonin e kaluar është shndërruar në një element kyç të mbrojtjes dhe mesfushës blaugrana.

I aftë të luajë si qendërmbrojtës, mbrojtës i majtë apo i djathtë, madje edhe në rolin e mesfushorit qendror, Garcia ka fituar lëvdata për qetësinë, kulturën taktike dhe saktësinë në lojën me top.

Barcelona, me këtë lëvizje, siguron për afat të gjatë një profil që përshtatet perfekt me filozofinë dhe nevojat e skuadrës. /Telegrafi/

telegrafi sport app