LAJMI I FUNDIT:

Arrestohet personi që theu banesën e Dragica Gashiqit

Arrestohet personi që theu banesën e Dragica Gashiqit

Policia e Kosovës, të premten, më 30 korrik, ka arrestuar një person në Gjakovë, nën dyshimin se ka thyer banesën, në të cilën është vendosur Dragica Gashiq, e cila është serbja e vetme që është kthyer të jetojë në Gjakovë.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Gjakovë, Nysret Xhurkaj. Ai ka thënë se i dyshuari, me inicialet A.O., i lindur më 1979, është arrestuar nën dyshimin se ka thyer një banesë për motive hajnie.

“Stacioni i Policisë në Gjakovë ka bërë një punë të shkëlqyeshme dhe ka arrestuar personin e dyshuar, tek i cili janë gjetur gjësendet e vjedhura nga banesa ku është vendosur Gashiq. Rasti tashmë është proceduar, ndërkaq që i dyshuari A.O., në prezencën e avokatit e ka pranuar veprën për të cilën dyshohet”, ka thënë Xhurkaj.

Ai ka shtuar se rasti i thyerjes së banesës ku jeton Gashiq, nuk ka prapavijë etnike, duke theksuar se “hajnia nuk njeh nacionalitet dhe as besim fetar”.

Dragica Gashiq, ishte kthyer të martën, më 27 korrik, në banesën ku është vendosur, pas një vizite që kishte pasur te motra e saj në Klinë.

Ajo i kishte thënë Radios Evropa e Lirë, se rastin e thyerjes së banesës e kishte paraqitur menjëherë në Policinë e Kosovës.

Siç kishte thënë ajo, në banesë i mungonin gjërat e saj personale, ushqimi, kamera e sigurisë dhe pajisja e internetit.

Policia e Kosovës konfirmoi se po të njëjtën ditë, para objektit ku jeton Gashiq, ishte vendosur një roje e policisë.

Në fund të qershorit, Gashiq ka bërë përpjekje ta ndryshojë derën e jashtme të banesës dhe ta zëvendësojë atë me një të blinduar, por policia nuk e ka lejuar ta bëjë këtë, me arsyetimin se duhet të marrë leje komunale për diçka e tillë.

Në fillim të korrikut, Komuna e Gjakovës ka ngritur padi kundër Gashiqit në Gjykatën Themelore në Gjakovë, duke kërkuar që ajo “të anulojë kontratën për marrjen me qira të banesës”.

Por, Gashiq kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk e ka ndërmend të largohet nga banesa e saj në Gjakovë.