LAJMI I FUNDIT:

Arrestohet personi që kanosi me vrasje kryeministrin Kurti

Arrestohet personi që kanosi me vrasje kryeministrin Kurti

Prokuroria Speciale ka arrestuar të enjten një person me inicialet N.S., për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”.

Sipas njoftimit, i njëjti ka kanosur me vrasje kryeministrin e Republikës së Kosovës, pasi që ka bërë një postim në rrjetin social “Facebook” me përmbajtje inkriminuese.


Po ashtu, bëhet e ditur se këtë deklaratë ai e ka përsëritur gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit “DEBAT PLUS” në RTV Dukagjini.

“Me aktvendim të Prokurorisë Speciale i njëjti është ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftimin për media.

“Unë konsideroj që çdo njeri, i cili bën të këqija siç bën Albin Kurti, edhe po të isha unë në vendin e tij, duhet të vritet patjetër sepse ai është tradhtar ndaj atdheut prandaj…”, është deklarata që i arrestuari N.S ka dhënë në emisionin “DEBAT PLUS”.

Ndërsa, në Facebook ai ka shkruar “veç një telefon ma bën Faton aty më ki, për çka të ka nevojë mezi s’po pres me ja nisë!”, duke i dal në mbrojtje Ushtruesit të Detyrës së Kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinakut, i cili të mërkurën gjatë ditës kishte shkruar mes tjerash se ‘më përpara e vret kryeministrin Kurti, se sa e lëshon Kosovën’.

Edhe Klinaku një ditë më parë është intervistuar nga hetuesit policorë, e më pas është liruar në procedurë të rregullt.

I arrestuari për kërcënim me vrasje të kryeministrit Kurti 

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kryerja e kësaj vepre dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

“Kushdo që me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues apo sigurisë së Republikës së Kosovës, me përdorim të dhunës apo me kanosje të dhunës, pengon një apo më shumë nga personat e saktësuar në nenin 126 të këtij Kodi në ushtrimin e detyrave zyrtare apo i detyron të kryejnë apo të mos kryejnë ndonjë veprim nga fushëveprimi i detyrave të tyre, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet”, parashihet me Kodin Penal. /Telegrafi/