LAJMI I FUNDIT:

Arrestohen pesë kosovarë Zvicër, falsifikonin leje të qëndrimit

Arrestohen pesë kosovarë Zvicër, falsifikonin leje të qëndrimit

Pesë kosovarë janë arrestuar të martën në qytetin Tesiner, kantoni i Tiçinos në Zvicër, për shkak se dyshohen për falsifikim të lejeve të qëndrimit dhe trafikimit të njerëzve.

Për rastin në fjalë, përveç pesë kosovarëve, është arrestuar edhe një shtetas zviceran me origjinë turke, raporton sot gazeta zvicerane Blick.


Ndër të arrestuarit është një funksionar i zyrës për emigracion (28 vjeç) dhe dy ish punëtorë (28 dhe 23 vjeç), të cilët nuk janë identifikuar.

Figura kryesore e këtij aktiviteti kriminal është shqiptari nga Kosova, Patriot A.(25 vjeç). Ai është një kosovar me nënshtetësi zvicerane, i cili ka një të kaluar të errët.

Patriot A. kishte një kompani ndërtimi ilegale me punëtorë ilegalë. Kompania ofronte gipsim, murim dhe lyerje e gjithashtu edhe skele-ndërtime. Kompania nuk punonte vetëm në kantonin e Tiçinos, por në mbarë Zvicrën.

Ai fitonte me dhjetëra mijëra franga.

Punëtorët ilegalë vinin kryesisht nga shtetet e Lindjes, nga shtete jo evropiane, dhe në mënyrë që tu mundësohej puna në këtë kompani, Patrioti me bashkëpunëtorët nga zyra për emigracion u siguronte leje qëndrime të falsifikuara.

Kjo procedurë u kushtonte migruesve 1 mijë franga për person, dhe ishte mjaft e thjeshtë: fotoja e “konsumatorit” vendosej në distinktivë, raporton Blick.

Disa dhjetëra të huaj kanë marrë pasaporta në këtë mënyrë, dhe për këtë zyrtari i zyrës për migracion dhe ish-kolegët e tij janë të dyshuarit kryesorë. 28-vjeçari mohon të ketë bashkëpunuar, edhe pse është vëllai i Patriot A.

Patrioti nuk e ka dosjen e pastër. Ai ka qenë i arrestuar dhe i dënuar me gjashtë muaj burgim në Kosovë. Emri i tij ka qenë në listën ndërkombëtare të të kërkuarve. Tani ai është i akuzuar për trafikim të qenieve njerëzore, korrupsion të dokumenteve, korrupsion aktiv dhe shkelje ndaj ligjit për të huajt.