LAJMI I FUNDIT:

Arrestimi i shtetasve kosovarë nga Serbia për arsye politike dhe si presion ndaj qytetarëve

Arrestimi i shtetasve kosovarë nga Serbia për arsye politike dhe si presion ndaj qytetarëve

Autoritetet e Serbisë po vazhdojnë me praktikën e ndalimit dhe arrestimit të shtetasve kosovarë. I fundit që u arrestua ishte shtetasi kosovar Nezir Mehmetaj, për arrestimin e të cilit autoritetet serbe nuk dhanë ndonjë arsye.

Në Kosovë, këto arrestime janë parë si mesazh i keq nga ana e Serbisë në kohën kur po zhvillohen bisedimet për normalizim të marrëdhënieve.

Këto arrestime nga ekspertët e sigurisë thuhet se po bëhen për arsye politike.

Eksperti i sigurisë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Plator Avdiu, tha se këto arrestime të cilat po bëhen nga ana e Serbisë, janë pa asnjë bazë juridike dhe bëhen me qëllim të shkaktojnë panik te qytetarët.

“Po këto arrestime që i bën Serbia, së pari janë arrestime do të thotë pak kurrfarë baze juridike për shkak se jo vetëm ky rast, ka pasur edhe raste të tjera më herët, ku akuzat  të cilat i bën Serbia ndaj tyre përgatitet ndoshta aty për aty, ose janë të përgatitura më herët dhe kjo kryesisht me qëllim që të shkaktohet panik të ju shkaktohen probleme njerëzve që kanë nevojë të kalojnë kufirin. Këtë rast po bëhet fjalë për një qytetarë  i cili është në diasporë, jeton jashtë vendit dhe e kishte shfrytëzuar rrugën e Serbisë, për disa çështje familjare, private”, u shpreh Avdiu për Ekonomia Online.

Sipas Avdiut, ajo çka e bën më të veçantë këtë rast është se nuk kemi të bëjmë me një pjesëtar të UÇK-së apo ndonjë zyrtar të institucioneve.

Avdiu thotë se me këtë veprim, Serbia ndonëse është zotuar për lëvizje të lirë të qytetarëve nuk po e zbaton atë.

“Kryesisht këto janë arrestime pa bazë dhe krejtësisht politike, do të thotë sepse është një rast po flasim për një qytetar i cili as nuk jeton në Kosovë i cili jeton ndoshta për një kohë të gjatë në diasporë dhe i cili gjatë luftës akuzat për të cilat ngarkohet  nuk kishte qenë fare në Kosovë. Është frikësuese për shkak se tregon se Serbia, pavarësisht që është zotua për një lëvizje të lirë të qytetarëve, megjithatë e zbaton atë pjesërisht dhe ashtu si i teket. Fatkeqësisht institucionet e Kosovës nuk kanë shumë çfarë të bëjnë në këtë rast përveçse ta dënojnë në mënyrë deklarative, nuk mund të bëjnë asgjë më tepër”, theksoi ai.

Për arrestimin e Nezir Mehmetajt, sipas Avdiut, nuk pati ndonjë reagim nga faktori ndërkombëtar. Ai thotë se reagimet e tyre nuk duhet të bëhen vetëm kur bëhet fjalë për zyrtarë të institucioneve, por duhet të jenë për çdo qytetarë të Kosovës.

“Nga ana tjetër ajo çka po e shoh jo fort të dëshirueshme për ne është që nuk ka reagim nga faktori ndërkombëtar. Nuk duhet faktori ndërkombëtar  të reagojë vetëm kur bëhet fjalë për zyrtarë të institucioneve mirëpo duhet të reagojë për çdo qytetar të Kosovës, i cili maltretohet, arrestohet, pa kurrfarë baze dhe i cili do të thotë në një mënyrë ngarkohet me vepra  për të cilat ai nuk ka qenë fare i pranishëm as në Kosovë në atë kohë. Kështu që nuk duhet të ketë ndoshta edhe qasje selektive se ndaj kujt duhet të reagohet dhe ndaj kujt jo, para së gjithash këta janë qytetarë të Kosovës, pavarësisht a jetojnë në Kosovë apo jo”.

Ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin qarkullimin nëpër territorin e Serbisë pas arrestimit të qytetarit Nezir Mehmetaj nga autoritetet serbe.

Për këtë, eksperti i sigurisë, thotë se thirrja që të shfrytëzohen rrugët tjera nuk është zgjidhje.

Më tej, Avdiu thekson se me këto veprime Serbia tregon se nuk është e interesuar për normalizim të raporteve me Kosovën.

“Mesazhi është politik, edhe një tendencë për të frikësuar kinse nuk bën të kalojë këndej, zyrtarë që ndoshta kanë qenë të përfshirë në UÇK gjatë kohës së luftës etj, kjo është thjesht shkelje flagrante e marrëveshjes për lëvizje të lirë që e ka nënshkruar vetë Serbia me Kosovën në kuadër të dialogut të Brukselit. Po shihet se Serbia nuk është e interesuar as për normalizim të raporteve me Kosovën e aq më pak për normalizim të raporteve ndërmjet dy popujve. Përderisa nuk ka siguri në lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës drejt Serbisë aq më pak mund të flasim për normalizim raportesh në nivel të shteteve”, theksoi ai për Ekonomia Online.

Arrestimi i Mehmetajt, po shihet si një presion ndaj Kosovës dhe qytetarëve, edhe nga eksperti i sigurisë, Avni Islami.

“Arrestimi i fundit i një qytetari të Republikës së Kosovës nga ana e autoriteteve të Serbisë gjoja se është duke u përndjekur dhe ka fletarrest për shkak të pjesëmarrjes në luftë ose si i dyshuar, mendoj se është vetëm edhe një pjesë e asaj  që ja shtojmë si presion ndaj Kosovës dhe ndaj qytetarëve jo vetëm shqiptar por edhe atyre serbë që janë besnik në raport me shtetin e Kosovës. Serbia është duke vazhduar edhe në këtë vit që po hyjmë me presione dhe shantazhe. Duke vazhduar me çnjohje të Kosovës e deri të këto të fundit të arrestimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Islami.

Tutje, ai thotë se duhet sa më shpejt të formohet Qeveria e Kosovës në mënyrë që të ndërmarrë masa për mbrojtjen e qytetarëve.

” Qeveria aktuale e Serbisë është duke bërë presion sa më tepër që në momentin kur të hynë në bisedime me Qeverinë e Kosovës të pozicionohet sa më e fortë në raport me institucionet e Kosovës. Do të duhej që sa më parë të formohet qeveria e Kosovës dhe njëherë e mirë institucionet e Kosovës të ndërmarrin me analogji dhe reciprocitet në mënyrë që të ndihet dora e shtetit të Kosovës dhe mbrojtja e qytetarëve të saj në raport me institucionet e Serbisë”, theksoi ai.

Mehmetaj është arrestuar javë më parë në Serbi derisa po kthehej në Kosovë, nën dyshimet për krime të luftës të cilit më pas iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Mehmetaj jeton në Zvicër, por ishte me pushime në Kosovë. Ditën kur u arrestua ai kishte dërguar në Beograd nënën e tij për shërim.

Në trend Lajme

Më shumë
Dygjuhësia duhet të merret si avantazh, jo problematikë te fëmijët – Pervizaj flet për hulumtimet e fundit

Dygjuhësia duhet të merret si avantazh, jo problematikë te fëmijët – Pervizaj flet për hulumtimet e fundit

Elfije Boletini
Deklaratat për zgjedhje, Konjufca: Mazhoranca nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së Qeverisë

Deklaratat për zgjedhje, Konjufca: Mazhoranca nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së Qeverisë

Lajme
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
IKShPK: Regjistrohen 8 raste të Kollës së mirë në Kosovë, prindërit t'i vaksinojnë fëmijët

IKShPK: Regjistrohen 8 raste të Kollës së mirë në Kosovë, prindërit t'i vaksinojnë fëmijët

Shëndetësi
RTK: Ambasadori Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale

RTK: Ambasadori Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale

Drejtësi
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori