Për plotë 70 vite aleanca e NATO-s, vazhdimisht kryen stërvitje të përbashkëta për mbrojtje nga çfarëdo kërcënimi potencial, dhe më kalimin e viteve kapacitetet e saj kanë ndryshuar, shkruan Business Insider.

Sipas Jim Townsend nga Qendra për Siguri të Re Amerikane, arma më e fuqishme e NATO-s është bashkimi i aleancës, transmeton Telegrafi.

E në anën tjetër NATO vazhdimisht avancon si me pajisje ushtarake ashtu dhe me armë moderne, pasi që Rusia vazhdimisht po “mundohet” ta modernizojë ushtrinë duke prodhuar raketa supersonike.

Për t’i bërë ballë çfarëdo kërcënimi, NATO ka prodhuar armë super moderne të cilat më poshtë do t’ju listojmë duke zbuluar disa nga karakteristikat e tyre.

F-35 Lightning II Joint Strike Fighter

Kur flasim për luftën ajrore, një nga armët më të fuqishme të NATO-s është aeroplani luftarak amerikan F-35. Bëhet fjalë për aeroplanin luftarak të gjeneratës së pestë, që deri më tani konsiderohet si i pa konkurrencë dhe nuk detektohet nga radarët falë materialit unik të trupit të tij.

Typhoons

Ky aeroplan luftarak kryen shumë detyra derisa është në ajër dhe prodhohet nga shumë vende evropiane që janë anëtare të NATO-s siç është Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Spanja. Ndërkaq së fundmi ishte Franca që ishte larguar nga ky projekt i përbashkët evropian, duke prodhuar një aeroplan tjetër luftarak që tashmë njihet me emrin Dassault Rafale.

Bombardues

Shtetet e Bashkuara posedojnë aeroplanë të ndryshëm bombardues duke filluar nga B-52 B-2 dhe B-1B Lancers, që vazhdimisht fluturojnë mbi Evropë që kur në vitin 2014 Rusia aneksoi Krimenë (Ukrainë).

P-8A Poseidon

Sa herë që flitet për fuqinë ushtarake nuk ka gjasa të mos përmendet shteti më i fuqishëm në botë – SHBA-të, që me aeroplanët luftarakë US P-8A vazhdon patrullimin nëpër botë në kuadër të misioneve të ndryshme të NATO-s. Specialiteti i “preferuar” i këtyre aeroplanëve, është detektimi dhe asgjësimi i nëndetëse bërthamore.

AH-64 Apache

Të projektuar për të ofruar përkrahje ajrore për mjetet e blinduara në fushëbetejë, helikopterët luftarak Apache konsiderohen si helikopterët më të avancuar në botë që prodhohen nga SHBA-të, dhe që kanë marrë pjesë edhe në sulmet ajrore të NATO-s në Kosovë. Kjo fluturake mund që për pak sekonda të “asgjësojë” konvojin e mjeteve të blinduara. Raketat e AH-64, Hellfire pritet të zëvendësohen me raketa tjera ajër-tokë, emri i të cilave ende nuk është zbuluar. Apache ka luajtur rol kyç në luftimet e zhvilluar në Lindjen e Mesme.

Leopard 2

Leopard 2 është tank i prodhuar në Gjermani që konsiderohet si element kyç i NATO-s, pasi që shihet si i pashkatërrueshëm dhe shumë i fortë ndaj tankeve të Rusisë. Ekspertët ushtarakë vlerësojnë se ky lloj tanku pa ndonjë problem mund të shkatërroj tanket ruse.

Aeroplanmbajtëset amerikane Nimitz

Në stërvitjet që NATO vazhdimisht i realizon dhe që simulon konfliktin kundër Rusisë, aeroplanmbajtëset amerikane Nimitz shihen si shpëtimtare, kjo për faktin se posedojnë teknologjinë dhe armët më moderne që asnjë anije tjetër në botë nuk i posedon. Kjo aeroplanmbajtëse pa ndonjë problem akomodon 6 mijë anëtarë të ekuipazhit, si dhe shumë aeroplanë luftarakë F/A-18 siç edhe është dëshmuar në ushtrimet e realizuar në Norvegji.

Sistemi raketor Tokë-Ajër “PATRIOT”

Patriot është sistemi raketor Tokë-Ajër që e posedon ushtria amerikane dhe që përdoret në mbarë botën, e në veçanti aty ku vendet anëtare të NATO-s kryejnë ndonjë mision. Qëllimi i këtij sistemi raketor është detektimi i raketave të armikut dhe shkatërrimit i tyre në ajër. E zyrtarë ushtarakë të NATO-s së fundmi kanë njoftuar se janë duke shqyrtuar mundësinë e përdorimit edhe të një sistemi tjetër të avancuar raketor, siç është Aegis që detekton dhe shkatërron raketat e armikut që fluturojnë mbi Evropë.

Nëndetëset amerikane Virginia-class

Nëndetëse Viriginia-class, kanë fuqi bërthamore dhe në çdo kohë mund të kryejnë sulme vdekjeprurëse kudo në botë. Ato janë të pajisura me silur që për pak sekonda zhytin nëndetëset e armikut. Gjithashtu përdoren për shkatërrimin e bazave ajrore të armikut që janë të vendosura në breg, duke përdorur kështu raketat tashmë të famshme Tomahawk që janë përdorur edhe në luftën e Kosovës. /Telegrafi/