Armëpushim 72 orësh në Gazë

Arritja e këtij armëpushimi mjaft të rëndësishëm në këtë kohë është konfirmuar edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe nga OKB-ja.
Izraeli e filloi ofensivën e tij në Gaza në 8 korrik dhe deri tani të paktën 1422 palestinezë janë vrarë, shumica prej të cilëve kanë qenë civilë. Gjithashtu edhe 56 ushtarë dhe dy civilë janë vrarë në anën e Izraelit.
Deri tani Izraeli e ka justifikuar ofensivën e tij në Gaza, si një mënyrë për të mbrojtur popullin e tij nga sulmet e militantëve palestinezë.
Në një deklaratë të përbashkët mes Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, thuhej se “gjatë kësaj kohe forcat ushtarake do të qëndrojnë në pozicionet e tyre në terren”.
“Ne i bëjmë thirrje palëve që të veprojnë me përmbajtje gjatë kësaj kohe dhe më pas të respektojnë armëpushimin e arritur, i cili do t’i vijë në ndihmë civilëve të pafajshëm”, thuhej në deklaratën e përbashkët. /TCH/










































