Armando Sadiku befason me skuadrën e re, transferohet në Bolivi

Armando Sadiku është larguar nga futbolli evropian dhe ka bërë transferimin në kampionatin e Bolivisë.
Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë së fundmi ishte pjesë e skuadrës turke Erzurumspor.
Megjithatë kontratën me këtë skuadër e ka shkëputur me marrëveshje të dyanshme dhe tanimë ka kompletuar transferimin në Bolivi.
Është skuadra e famshme nga Bolivia, Bolivar që ka arritur t’i sigurojë shërbimet e Armando Sadikut.
Ka qenë vet presidenti i klubit, Marcelo Claure që ka publikuar lajmin për arritjen e Sadikut.
Ende nuk janë zbardhur detajet financiare, por e sigurt është se Sadiku është lojtar i ri i Bolivar.
Mediat në Bolivi kanë raportuar se shkuarja e Sadikut te Bolivar mund të jetë një trampolinë për të shkuar pastaj elbasanasi në MLS.
Pronari i Bolivar, Marcelo Claure është bashkëpronar me David Beckham në Inter Miami por edhe tek Girona në Spanjë. /Telegrafi/




















































