LAJMI I FUNDIT:

Arkitekti i shtetit demokratik gjithëkombëtar

Në 568-vjetorin e Lidhjes së Lezhës (2 mars 1444)

Te bujarët shqiptarë martesa ishte një akt politik, që e ndoqi edhe Skënderbeu për hir të përforcimit të politikës së brendshme, që shpinte drejt bashkimit sa më organik të sundimtarëve të fuqishëm shqiptarë. Përballë depërtimeve otomane në vijën e parë gjendej edhe Arbëria. Flamurin e Kastriotëve, që Skënderbeu e shndërroi në flamur kombëtar, e ngriti në Krujë më 28 nëntor 1443, kurse shteti gjithëkombëtar e themeloi në Lezhë, më 2 mars të vitit 1444


Përballë depërtimeve otomane në vijën e parë gjendej Perandoria Bizantine, Arbëria, Rasha, Bosnja, principatat e krishtera të Egjeut, Rumania, Hungaria pastaj mund të konsiderohet se në vijën e parë ishte edhe Republika e Venedikut, ngase ajo zotëronte pjesë të bregdetit arbëror, grekë dhe të Egjeut, si dhe Selia e Shenjtë – Vatikani, kurse në vijën e dytë konsideroheshin shtetet siç ishte Mbretëria Arogoneze – Napolitane, Perandoria Romane-Gjermane, Polonia e të tjera, si dhe në vijën e tretë gjendeshin shtetet e tjera të Evropës.

Daljen e Gjergj Kastriotit në ballë të jetës politike e ushtarake e favorizuan shumë faktorë. Së pari, duhet të kihet parasysh roli i tij në organizmin e kryengritjes fitimtare të vitit 1443, pastaj shtrirja e zotërimeve të Kastriotëve në zemër të vendit, qenia e Krujës në duart e Skënderbeut, qendrës më të rëndësishme politike e ushtarake të tokave shqiptare të çliruara, por edhe lidhjet farefisnore e martesore të Kastriotëve me shumë bujarë e familje sundimtarësh të tjerë shqiptarë. Në fakt, këto martesa paraqitnin një akt politik, që e ndoqi Gjergj Kastrioti, për hir të përforcimit të politikës së brendshme, politikë, kjo që shpiente drejt bashkimit sa më organik të sundimtarëve të fuqishëm shqiptarë. Në këtë frymë u bë edhe martesa e Gjergj Kastriotit me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit. Pastaj, martesa të këtilla ishin bërë edhe më parë kur Gjon Kastrioti, i ati e Skënderbeut, vajzën e vet Marën e kishte martuar me Shtjefën Çërnojën e Zetës, Vlajkën me Gjon Muzakën, Angjelinën me Vladan Arianitin (vëlla i Gjergj Arianitit) e Jellën me Pal Stres Balshën, kurse Mamica (Marica) ishte martuar me Muzakë Topinë në Lezhës.

Lezha – vend i shenjtë i shtetësisë shqiptare të Skënderbeut

Në këtë drejtim, sapo kishte shpalosur flamurin tashëm kombëtar në Kalanë e Krujës, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu shkoi prej një vendi në tjetrin për të ftuar popullin shqiptar në luftën e përbashkët çlirimtare kundër Perandorisë Otomane, që i kishte okupuar edhe shumë vise shqiptare. Si rezultat i atyre vizitave e bisedave me kryezotërinjtë arbëror nëpër vise të tjera arbërore, doli thirrja e një kuvendi të përbashkët. Për shumë arsye, vendi se ku do të mbahej kuvendi ishte caktuar Lezha. Në fakt, Lezha ishte nën sundimin e Republikës së Venedikut.

Dhe, kështu, në Kuvendin e përgjithshëm arbëror (shqiptar), Lidhjen apo Besëlidhjen, që u mbajt më 2 mars të vitit 1444, morën pjesë shumë kryezotërinj nga pjesë të ndryshme të Arbërisë, si Pal dhe Nikollë Dukagjini, nga Dukagjini, Pjetër Spani i Shalës së Shoshit, Gjergj Stres Balsha i Misjes, e shumë të tjerë.

Në Kuvendin e Bashkimit Kombëtar, që u mbajt në Lezhë, në vendin e shenjtë të shtetësisë shqiptare, pra në vendthemelet e shtetësisë së shtetit gjithëshqiptar – gjithëkombëtar, pjesëmarrësit kishin arritur marrëveshje të plotë për çështje jetike, ndaj edhe me vendimet që ishin miratuar ishte realizuar strategjia shtetformuese e Gjergj Kastriotit, që ishte dëshira dhe përpjekja e kamotshme e tij për të krijuar një shtet arbëror. Ky në fakt ishte një shtet, që në fillim i kishte përmbushur të gjitha premisat juridike. Nga ai Kuvend kishte dalë kërkesa që të formohej një organ juridik e që do ta luante rolin e një qeverie të sotshme, që ishte pagëzuar Lidhja e Lezhës.

Pastaj, në Kuvend njëzëri ishte zgjedhur komandanti apo kapiteni i përgjithshëm i Lidhjes e që ishte Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Lidhja kishte formuar edhe ushtrinë (armatën e vet), e që kishte deri në 20 mijë ushtarë, prej të cilëve shumicën e mbante Skënderbeu rreth vetes e të cilët do të mblidheshin nga princat shqiptarë. Bërthamën themelore të ushtrisë e përbënin fshatarët duke marrë feude të vogla dhe duke u bërë oficerë të ushtrisë shqiptare. Gjergj Kastrioti e kishte ndarë ushtrinë në të rregullt dhe në të përkohshme. Ushtrinë e rregullt e përbënin garda pretoriane me 2000-3000 kalorës të lehtë, që luftonin nën komandën e Skënderbeut dhe njësitë kufitare me 3000-5000 ushtarë nën komandën e Moisi Golemit, që mbronin kufirin lindor të atdheut. Ndërkaq, ushtria e përkohshme përbëhej nga fshatarëve që sipas listave të rekrutimit, u hartuan mbi parimin “burrë për shtëpi”. Ushtria e përkohshme kishte 8.000-10.000 ushtarë, të shumtën këmbësorë, kurse një pjesë e vogël e tyre ishin kalorës. Do përmendur se kuadrin komandues të ushtrisë së Gjergj Kastriotit e përbënin oficerët e rekrutuar nga radhët e aristokracisë feudale, por oficerë bëheshin edhe ata ushtarë, që dalloheshin për trimëri, taktikë dhe aftësi për udhëheqje.

Ekspertët ushtarakë të kohës brenda e jashtë atdheut e kanë çmuar Skënderbeun si strateg të madh dhe e kanë konsideruar si njërin nga prijësit më të shquar ushtarak të asaj kohe. Atij i shkoi për dore jo vetëm të organizojë një ushtri të tillë, që iu përgjigj më së miri kërkesave të Lëvizjes arbërore, por ishte edhe mjeshtër i madh i sulmit dhe mbrojtjes së kombinuar. Ai i hartonte planet e luftës në konsultim me bashkëluftëtarët e vet. Skënderbeu njëkohësisht udhëhiqte ushtrinë dhe luftonte heroikisht si çdo ushtar i thjeshtë arbëror.

Shtrirja e shtetit kombëtar shqiptar

Shteti kombëtar i Gjergj Kastriotit përfshiu pjesën më të madhe të trevave të banuara me arbëror. Ai shtrihej nga malet Pindus dhe Janinë e deri në Kotorr, nga Adriatiku e deri në Ohër, Dibër, Prizren e Gjakovë, kurse Peja dhe Rrafshi i Kosovës (Vushtrria, Novobërda, Prishtina etj.) kishin mbetur jashtë kufijve të shtetit kombëtar të Skënderbeut. Arsyet ishin këto: Pejën e qeveriste Leka III Dukagjini, i cili qe Vasal i Sulltanit dhe rival kryesor i Skënderbeut, kurse Rrafshi i Kosovës qeverisej nga Sanxhaku i Vushtrrisë, nga pashallarët e sidomos nga kushërinjtë e Zognos Mehmet pashës. Mirëpo, kur Leka III Dukagjini hoqi dorë nga vasaliteti i sulltanit, iu bashkua Skënderbeut, i cili më vonë iu bë miku më i ngushtë deri në vdekje. E kur Peja u pushtua nga ushtria otomane, u krijuar dinastia e Mahmudbegollajve të Pejës. Mahmud beu ishte i biri i Nikollë Dukagjinit, i cili si endrenas qëndroi në Stamboll deri në vdekje.

Shteti i Skënderbeut ishte ngritur mbi parimin demokratik

Shteti i parë kombëtar arbëroro-shqiptar ishte ndërtuar mbi parimin demokratik. Këtë e dëshmon e dhëna se krijimi i kombit anglez dhe shteti kombëtar angleze si dhe kombi francez dhe shtet kombëtar francez, si kombe dhe shtete të para të Evropës Perëndimore, dallojnë në shumë aspekte. Së pari, se ato u formuan më vonë – nga fundi i shekullit XV, dhe se ato shtete u krijuan nga lart, pra nëpërmjet monarkive absolute, monarki këto që u sollën shtresave të gjera shfrytëzim politik, ekonomik arsimor e kulturor. Ndërkaq, shteti kombëtar i Gjergj Kastriotit, në radhë të parë, ishte pothuajse shteti i parë kombëtar në Evropë, pastaj se ai u krijua nga poshtë dhe se ishte popullor e human. Po ashtu, princat shqiptarë në atë Kuvend kishin arritur një aleancë politike e ushtarake, duke ndërtuar raporte mjaft demokratike në drejtim të pengimit të ushtrimit të pushtetit të pakufishëm nga një person. Ata ishin të bindur se lufta për çlirim kombëtar duhet të vazhdojë deri në çlirim. Mu për këtë edhe shteti kombëtar shqiptar ishte përkrahur edhe nga vende të tjera e veçmas nga principatat shqiptare, që tashmë kishin karakter të një konfederalizmi, si me ushtarë, ushqime, armë e mjete materiale. Pra, në Kuvend pjesëmarrësit ishin marrë vesh se burimet financiare do të grumbulloheshin nga ndihmat e princave arbëror, nga principata e Krujës dhe nga kriporet e Durrësit. Këto të ardhura do të arrinin deri në 200 mijë dukatë – flori në vit.

Se në Kuvend, kishin marrë pjesë burra të fjalës dhe se atje kishin arritur një pajtueshmëri të plotë për bashkim dhe mbrojtje të atdheut dëshmon edhe realizimi i vendimeve, që filloi menjëherë. Pas Kuvendit ishte tubuar ushtria, kishte filluar mbrojtja, forcimi i fortesave, ishin krijuar dhe mbuluar me ushtarë të gjithat pikat strategjike për mbrojtje, ishin emëruar dhe vendosur komandatët kryesorë dhe të besueshëm. Po ashtu, Gjergj Kastrioti menjëherë e kishte përpunuar strategjinë ushtarake deri në detaje dhe atë e kishte biseduar me kapedanë e deri edhe me ushtarë. Struktura e pjesëmarrësve në Kuvend nuk ishte e kufizuar as sipas moshës e as për nga fuqia e as për nga renomeja e as për nga divergjencat e mëparshme. Me mbajtjen e Kuvendit të Lezhës u realizua strategjia shtetformuese e Gjergj Kastriotit dhe u krijua një atmosferë e tolerancës dhe e mirëkuptimit, që në fakt i siguroi sukses të plotë Kuvendit.

Betimi në alterin e kombit

Çdo kryetar i shtetit me rastin e inaugurimit jep betimin para deputetëve të parlamentit. Edhe kryetari i Shqipërisë vepron kështu. Por, do të ishte me interes që në të ardhmen kryetari i Shqipërisë betimin ta japë para parlamentarëve, por jo në Kuvend të Shqipërisë në Tiranë po në altarin e shtetit kombëtar, në kompleksin memorial të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Lezhë, aty ku u bë bashkimi i parë kombëtar, por edhe shteti i parë gjithëkombëtar. Bile, do të ishte me interes dhe mjaft simpatik që çdo konstituim i parlamentit në nivel të Shqipërisë të bëhet në atë vend të shenjtë të kombit dhe të shtetësisë shqiptare, atje të betohen edhe parlamentarët se do të veprojnë për të mirën e gjithë atdheut etnik, të gjithë popullit shqiptar, që është synim edhe i gjithë shqiptarëve. Megjithatë, Lezha e shenjtë ka nevojë të restaurohet, të meremetohet kompleksi i memorial i Skënderbeut së bashku me Katedralen e Shën Kollit (Nikollës), që vërtet të jetë simbol për të gjithë shqiptarët, por edhe për mbarë Evropën.