“Arinc ka bërë të qartë vizionin e qeverisë për shekullin e XXI”, kritikon politikani i opozitës Umut Oran.

Erdogan është parë si favorit për t'i fituar këto zgjedhje, që nga momenti që ai shpalli kandidaturën e tij në fillim të korrikut. Fjalimin e tij të parë si kandidat, e filloi si kryetar i partisë AKP dhe më pas e përfundoi me një shprehje të Kuranit.


Erdogan dhe AKP prej më shumë se një dekade mbështeten tek besimtarët konservatorë në Turqi. Në fushatën për zgjedhjet presidenciale, Erdogan ka theksuar temat islame më shumë se asnjëherë tjetër.

“Kjo ka një arsye”, thotë studiuesi Murat Gezici në një bisedë me Deutsche Welle. "Më shumë se dy të tretat e votuesve turq e konsiderojnë veten si besimtarë të devotshëm”.

Me theksin e tij tek devotshmëria ndaj Islamit, Erdogani i drejtohet një pjesë të rëndësishme votuesish: femrave. Sipas Gezicit, femrat në Turqi janë më besimtare se sa meshkujt.

“64 për qind e votuesve të AKP-së janë femra", thotë ai.

Dy partitë e mëdha opozitare, sekularët e CHP-së dhe nacionalistët e MHP-së, e njohin këtë trend. Kandidati i tyre i përbashkët dhe sfiduesi i Kryeministrit është Ekmeleddin Ihsanoglu, ish Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Botërore Islamike (OIC). Në këtë mënyrë, edhe Ihsanoglu mund të merret si një besimtar i devotshëm. Kjo e bën të vështirë për AKP-në ta sulmojë atë për mungesë devotshmërie, siç ka bërë me kandidatë të tjerë të mëparshëm.

Por, Ihsanoglu mund të humbasë votat e një pjesë të opozitës, sepse ata duan të votojnë për një kandidat sekular.

"Ihsanoglu është një peshë e lehtë", thotë politologu Sahin Alpay. Në sondazhet e zhvilluara deri tani Erdogan arrin më shumë se 50 për qind të votave, ndërsa Ihsanoglu rreth 40 për qind.

Se sa e rëndësishme është feja në fushatën zgjedhore, e tregon edhe taktika e kandidatit të tretë për president, politikanit kurd Selahattin Demirtas. Në vend që të konkurrojë me devotshmërinë e Erdoganit dhe Ihsanoglus, ai përpiqet të marrë në mbrojtje jobesimtarët, të cilët nuk ndihen të përfaqësuar tek dy kandidatët e parë. Demirtas në fushatën e tij kërkon që orët e besimit fetar të mos jenë më të detyrueshme në shkollat shtetërore. Ky detyrim nuk i shkon një shteti laik. Por, në sondazhe Demirtas arrin në kuotën 6-8 për qind.

Me linjën e tij ai ka marrë mbështetjen e një pjesë të alevitëve, një pakice islamike me rreth 20 milionë njerëz, të cilët ndihen të diskriminuar nga shumica sunite. Tradicionalisht ata janë mbështetës të CHP-së, por shumë prej tyre janë larguar për shkak të kandidatit të devotshëm Ihsanoglu. /DW/