LAJMI I FUNDIT:

“Apocalypse Now”: Detaje për “filmin e përsosur”!

“Apocalypse Now”: Detaje për “filmin e përsosur”!

Lufta, Perëndimi, morali, ndërgjegjja e sëmurë e së keqes… janë në qendër të një prej kryeveprave më të mëdha të historisë së kinemasë, “Apocalypse Now” i regjisorit Francis Ford Coppola. I shfaqur për herë të parë në vitin 1979, është sërish në salla kinemaj. “Apocalypse Now: Final Cut” është versioni që regjisori e ka quajtur “versioni perfekt”. Coppola ka qenë gjithmonë i bindur se versioni origjinal i vitit 1979 ishte shkurtuar shumë, ndërsa “Redux” i vitit 2001 ishte shumë i gjatë. Kështu që ai vendosi ta rishikonte jo vetëm montazhin, por edhe të restauronte tingullin dhe imazhet nga negativi origjinal.

“Apocalypse Now” i Francis Ford Coppolas: Thelbi i të keqes
Lexo po ashtu “Apocalypse Now” i Francis Ford Coppolas: Thelbi i të keqes

Janë pesë faktet interesante për filmin origjinal.


Skenaristi i reformuar: Le të fillojmë me skenaristin John Milius: ai ia atribuon obsesionin e tij me luftën faktit që kurrë nuk mundi të merrte pjesë në një të tillë. U përpoq të bëhej vullnetar për Trupat e Marinës amerikane për të marrë pjesë në Luftën e Vietnamit në 1968, por u largua sepse vuante nga astma. Në vend të kësaj, studioi regji në Shkollën e Filmit të Universitetit të Kalifornisë Jugore me shokun e klasës dhe ideatorin e “Star Wars”-it, George Lucas. Atje, gjatë një leksioni, një profesor i quajtur Irwin Blacker tha para studentëve të tij se asnjë skenarist nuk kishte përsosur kurrë një adaptim filmik të romanit të Joseph Conrad-it, “Heart of darkness”. Obsesioni i regjisorit të ardhshëm për luftën e Vietnamit dhe sfidën e Blacker-it i dha Miliusit idenë për ndërthurjen e dy elementeve në atë që përfundimisht do të bëhej “Apocalypse Now”.

Regjisori i larguar (është fjala për George Lucas): Pasi përfundoi në vitin 1969 filmin “Unë kthehem në shtëpi sonte”, kompania e prodhimit të Francis Ford Coppola-s, “American Zoetrope”, mori një kontratë nga Warner Bros Pictures për të prodhuar filma me skenare të rinj. Skenari që Coppola preferoi ishte “Apocalypse Now” nga Milius-i. Plani parashikonte që George Lucas të xhironte filmin bardhezi në Stockton të Kalifornisë, me një buxhet të vogël dhe me një stil pseudo-dokumentar të ngjashëm me filmin e famshëm të luftës të Gillo Pontecorvo-s “Beteja e algjerëve” (1966). Me këtë projekt nuk u bë asgjë dhe përfundimisht Lucas la gjithçka për regjinë e një skenari të ri që kishte shkruar. Filmi që ai realizoi ishte “Star Wars”. Pas sukseseve të tij me “Kumbarin”, Coppola pranoi të bëjë regjinë e “Apocalypse Now”.

Keitel mbetet jashtë, vjen Sheen: Roli i kapitenit të trupave speciale, Benjamin Willard, i ka dhënë më shumë sesa një dhimbje koke Coppola-s. Fillimisht, ai ia ofroi pjesën Steve McQueen-it, i cili refuzoi sepse nuk donte të xhironte në xhungël. Al Pacino, James Caan dhe Jack Nicholson kundërshtuan ofertat e mëvonshme derisa u thirr Harvey Keitel për ta luajtur këtë personazh. Coppola e pushoi nga puna gjashtë javë pas fillimit të produksionit, sepse besonte se performanca e aktorit nuk ishte ashtu siç e kërkonte personazhi. Kështu që e thirri Martin Sheen-in, i cili më parë kishte bërë një audicion për rolin e Michael Corleone-s te “Kumbari”…

Coppola rrezikoi gjithçka që kishte: Francis Ford Coppola investoi 30 milionë dollarë për të marrë buxhetin e nevojshëm për të bërë “Apocalypse Now”, sipas vizionit të tij. Ky total përfshinte hipotekën e shtëpisë dhe kompanisë së tij të verës, të cilat ai transferoi në bankën “Chase” si garanci për shumën. Norma fillestare e interesit ishte shtatë për qind, deri në 29 për qind në fund të prodhimit. Nëse filmi do të dështonte, do të duhej të përballej me falimentin financiar. Coppola ishte viktimë e një krize epileptike gjatë xhirimeve, ndërsa pati një krizë nervore dhe kërcënoi të bënte vetëvrasje të paktën tre herë.

Versioni i përsosur (sipas Coppola-s): Coppola kishte planifikuar fillimisht 14 javë xhirime në Filipine, në pranverën e vitit 1976. Gjithçka shkoi sipas planit, derisa tajfuni Olga dëmtoi pothuajse të gjitha grupet e xhirimit dhe pajisjet, duke detyruar produksionin të mbyllej për tetë javë. Në atë moment e më pas, vazhdoi të xhironte pa ndalur: postproduksioni i filmit zgjati edhe dy vjet të tjera dhe filmi u lansua përfundimisht në gusht 1979. Sipas regjisorit, pas versionit të vitit 1979 që mori Palmën e Artë në Kanë dhe versionit monumental “Redux” të vitit 2001, i restauruar dhe i zgjatur (47 minuta), “Final Cut” është përfundimisht versioni i përsosur. /TemA TV/