Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se gjatë procedurave për dy konkurset publike të shpallura më 8 gusht 2025, janë konstatuar shkelje të dispozitave ligjore, çka ka sjellë vendimin për anulimin e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe procedurat administrative.

Konkursi i parë, me Nr. 849, ishte shpallur për pozitat në sektorin shëndetësor dhe administrativ, duke përfshirë: mjekë të përgjithshëm (6 pozita), mjek stomatolog (1 pozicion), infermier/e (18 pozita), teknik/e stomatologjie (4 pozita), teknik/e laborant (4 pozita), teknik/e i farmacisë (1 pozicion), administrator i sistemit informativ shëndetësor (1 pozicion) dhe jurist/e (1 pozicion).


Konkursi i dytë, me Nr. 850, përfshinte pozitat e vozitësve (2 pozita), higjienistëve (3 pozita), mirëmbajtës/punëtor teknik (1 pozicion) dhe punëtor sigurimi (1 pozicion).

Komuna ka bërë të ditur se për çdo konkurs të ri eventual, qytetarët do të njoftohen me kohë përmes faqes zyrtare të internetit dhe rrjeteve sociale. /Telegrafi/