Antibiotikët shpëtimtarë dhe rrezik i heshtur, mjeku familjar tregon pse me raste preferohet të pritet 48 orë

Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, mysafir ishte specialisti i mjekësisë familjare, Nexhbedin Sadiki.
Ai foli edhe për rëndësinë e antibiotikëve, por edhe për rreziqet e mëdha që vijnë nga përdorimi i tyre i pakontrolluar.
Doktori e quajti zbulimin e antibiotikëve një nga arritjet më të mëdha të njerëzimit, që ka shpëtuar miliarda jetë në më shumë se një shekull.
Por, nga ana tjetër, ai paralajmëroi se keqpërdorimi i tyre po krijon sëmundje të reja dhe rezistencë, duke e bërë trajtimin e infeksioneve gjithnjë e më të vështirë.
Sadiki tregoi se praktika më e shëndetshme është që, në rastet e infeksioneve të lehta, të pritet të paktën 48 orë për të parë nëse organizmi e lufton vetë sëmundjen, përpara se të jepen antibiotikë.
“Nëse japim antibiotikë pa pasur nevojë, futemi në një rreth vicioz ku çdo herë duhet të përdorim barna më të forta, deri në pikën kur nuk kemi më çfarë të ofrojmë”, theksoi ai.
Sipas tij, antibiotikët duhet të përdoren vetëm kur janë të domosdoshëm dhe gjithmonë nën mbikëqyrjen e mjekut.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e laboratorëve dhe analizave të shpejta, që ndihmojnë mjekun të marrë vendimin e duhur për trajtimin.
Për më shumë ndiqni podcastin "Shëndeti në rend të parë":


















































