LAJMI I FUNDIT:

Anëtarësimi i Kosovës në OBT, çështje politike

Anëtarësimi i Kosovës në OBT, çështje politike

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) do të zgjidhte problemet dhe barrierat tregtare me të cilat përballet vendi ynë, por pavarësisht përgatitjeve të bëra nga ana teknike duket se për një gjë të tillë duhet pritur ende shumë, pasi kjo është çështje kryesisht politike.

Kështu u tha gjatë një konference të organizuar për media nga Oda Ekonomike e Kosovës, në të cilën është folur mbi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në OBT.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovë, Safet Gërxhaliu, tha se anëtarësimi në këtë institucion ndërkombëtar është objektiv për të qenë anëtar me të drejta të barabarta.

“Kosova mbetet larg anëtarësimit në OBT, kjo është tërësisht çështje politike, pavarësisht që janë bërë të gjitha përgatitjet teknike”, tha Garxhaliu.

Sipas tij, autoritetet kosovare duhet të mendojnë seriozisht që të anëtarësohet në OBT për zgjidhjen e problemeve tregtare që ka Kosova.

Gërxhaliu pret që Kosova të paktën shumë shpejt të jetë mbase vëzhguese në OBT.

Sytrime Dervisholli, udhëheqëse e Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë, tha se Kosova edhe pse nuk është pjesë e OBT, ajo zbaton rregullat e organizatës.

MTI, sipas saj, nuk ka qëndruar duarkryq në këtë proces, duke zhvilluar vizita dhe aktivitete ndërkombëtare, veçanërisht në Bruksel së fundmi, ku Kosova ka aplikuar që të jetë vëzhguese në OBT.

Naim Huruglica i prezantuar si ekspert, tha se Kosova nuk ka asnjë arsye që mos të jetë anëtare e OBT, pasi ka bërë reforma të nevojshme në këtë drejtim, ndërkohë që brengë për të mbetet deficiti tregtar.

Ndërsa, Berat Rukiqi nga OEK ka thënë se anëtarësimi është edhe lëvizja e lirë e shërbimeve, ngase Kosova ka mjaft potencial.

Ndryshe, anëtarësimi në OBT ka përfitime në aspektin e tarifave duke pasur parasysh se kjo organizatë ka 164 anëtarë në mbarë botën. /KP /Telegrafi/