LAJMI I FUNDIT:

Në Rusi po zhvillohet një luftë e brendshme për Kosovën dhe Serbinë

Në Rusi po zhvillohet një luftë e brendshme për Kosovën dhe Serbinë

Kohëve të fundit, hapësira publike e brendshme ruse, po i kushton vëmendje të veçantë çështjes së një marrëveshje potenciale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e atakuar në mënyrë të ashpër presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Madje, atakohen edhe studiues rusë, të cilët janë njohës të çështjeve të Ballkanit.

Pasqyrimi i tyre, të jep një përshtypje se Rusia më shumë interesohet për çështjen e Kosovës në raport me Serbinë, sesa vetë Serbia. Kundërshtime dhe mospajtime ka, jo vetëm në sferën politike dhe diplomatike, por lidhur me çështjen e Kosovës dhe të Ballkanit, ka edhe ndërmjet vetë studiuesve rusë.


Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në një artikull të publikuar në mediumin rus “Regnum”, përcjell Telegrafi.

Anna Filimonova, e cila është njohëse e çështjeve të Ballkanit ka kritikuar ashpër studiuesin tjetër rus, Peter Iskenderov, duke ju referuar shkrimeve të tij për çështjen e Kosovës dhe Serbisë si “shkrime analfabetësh”, të cilat, siç thotë ajo “përmbajnë teza të përgjithësuara të propagandës anti-serbe, të cilat duhet të adresohen”.

Në anën tjetër, studiuesi rus Peter Iskenderov, për artikuj të ngjashëm të Anna Filimonova, thotë se, “fatkeqësisht, një qasje e njëanshme mund të shihet në një numër botimesh në mediat ruse”.

Në shumicën e këtyre artikujve, Iskenderov thotë se, “në artikuj të tillë, autorët mundohen ta imagjinojnë ruajtjen e gjendjes aktuale të Kosovës, pasi të plotësojnë interesat e gjeopolitikës ruse, dhe në të njëjtën kohë, ato kundërshtojnë çdo përpjekje të Serbisë për të gjetur një zgjidhje kompromisi për problemin e Kosovës”.

Për më tepër, Iskenderov shton se, “dëshira e Serbisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian interpretohet apriori si pëlqim i Presidentit Vuçiq për t’u anëtarësuar në NATO”, gjë që kundërshtohet nga Rusia.

Madje teza e njohur “dorëzimi i Kosovës”, sipas Iskenderov, është një tezë e shpikur në artikuj të ndryshëm të autorëve rusë, duke thënë se, “ekziston një zëvendësim elementar i tezës: një marrëveshje kompromisi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është proklamimi i “dorëzimit të Kosovës””, megjithëse sipas Iskenderov, “Serbia de fakto e ka humbur kontrollin mbi Kosovën në qershor të vitit 1999”.

Gjersa Filimonova, duke ju referuar përsëri publikimeve të Iskenderov, thotë se, “Iskenderov as në parim nuk e di se ekziston marrëveshja e Brukselit, ose e ka lexuar atë, por nuk e ka kuptuar përmbajtjen”, duke shtuar se “thelbi i marrëveshjes është ajo se autoritetet serbe braktisën vullnetarisht policinë e tyre, gjykatat dhe sistemin e sigurisë në tërë Kosovën, përfshirë këtu edhe transferimin e veriut në duart e separatistëve”.

Në anën tjetër, Iskenderov thotë se, “e vërteta është se nënshkrimi i një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, jo vetëm që nënkupton konsolidimin e situatës aktuale në Kosovë nën garancitë ndërkombëtare (përfshirë edhe Rusinë), por gjithashtu lejon që Serbia të marr në duart e saj çështjen e sigurimit të interesave të pakicës serbe në Kosovë”.

Dhe në fund, lidhur me një marrëveshje potenciale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë edhe më tutje kundërthëniet në artikujt e studiuesve rusë, të cilët janë autorë të agjencisë së njëjtë “Regnum”.

Në njërën anë Filimonova thotë se, “dorëzimi i Kosovës nga Vuçiq do të turpërojë përgjithmonë Rusinë dhe do ta konsiderojnë atë si një akt tradhtie”, ndërsa në anën tjetër, Iskenderov thotë se, “arritja e një marrëveshje të tillë është shumë e dobishme për Rusinë për sa i përket pjesëmarrjes së saj aktive në proceset politike në Ballkan”. /Telegrafi/