LAJMI I FUNDIT:

Analistët: Qëndrimet e partive politike përafrohen falë vizitës së Haindl

Analistët: Qëndrimet e partive politike përafrohen falë vizitës së Haindl

Pas ardhjes së të dërguarit të posaçëm gjerman në Maqedoni dhe pas agjendës së tij të ngarkuar e cila përfshinte takime të njëpasnjëshme me përfaqësuesit politik në vend, për TVM2, opinionin e tyre rreth ngjarjeve që ndërlidhen me vizitën e ambasadorit Johannes Haindl e kanë shprehur dhe analistët politik në vend, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Deklaratat e përfaqësuesve të partive politike për avancim të bisedimeve pas takimit me emisarin gjerman, Johanes Haindl, flet për një atribut më të theksuar të përfaqësuesit special gjerman, Johannes Haindl, në drejtim të zgjidhjes së krizës politike”, i ka vlerësuar analisti politik, Albert Musliu, qëndrimet e partive politike pas mbarimit të takimeve të ndara me të dërguarin gjerman Haindl.


Sipas tij, çështja e krizës do të zbardhet edhe më tepër ditëve në vijim, sidomos deri para vizitës së sekretares shtetërore amerikane, Victoria Nuland.

“Gjithsesi se i atribuohet vizitës së Haindl dhe pavarësisht lojës së fjalëve, e cila prej elitës politike mund të pritet në ditët që vijojnë, mendoj se një prej përshpejtuesve të mëdhenj është Haindl, si dhe vizita e zyrtares shtetërore amerikane, Nulland. Mendoj se deri sa të na vizitojë sekretarja Nuland situata do të jetë shumë më e qartë dhe me ardhjen e saj mendoj se gjithsesi do të fillojmë të dalim nga kriza dhe gjithsesi do të dihen drejtimet se si do të zhvillohet gjendja e krizës politike”,- ka thënë analisti politik, Albert Musliu.

Është koha e fundit kur partitë politike duhet seriozisht t’i qasen zgjidhjes së krizës dyvjeçare, sepse në të kundërtën vendi do të përballet me sanksione të ndryshme, tashmë që vetëm kanë filluar dënimet e para ndërkombëtare, ka konstatuar analisti politik, Albert Musliu./Telegrafi/