LAJMI I FUNDIT:

Analistët me mendime të ndryshme për efektet e krizës së Ukrainës në dialogun Kosovë – Serbi

Analistët me mendime të ndryshme për efektet e krizës së Ukrainës në dialogun Kosovë – Serbi

Edhe pse Kosova ndodhet shumë larg nga zonat e konfliktit në Ukrainë, zhvillimet e fundit nga atje mund të kenë ndikim indirekt edhe në vendin tonë.

Analistët në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thonë se ndikimi i parë do të jetë në procesin e dialogut, pasi sipas tyre fokusi do të jetë në Ukrainë.


Ish-deputeti Visar Ymeri thotë se sigurisht që emisarët e caktuar për ndërmjetësim për dialog do të bëjnë punën e tyre por sipas tij dialogu do të stagnojë pas zhvillimeve në Ukrainë.

“Edhe nga perspektiva e SHBA-së për momentin situata në Ballkan do të lehet kështu siç është dhe të mos ketë ndonjë eskalim derisa të përfundojë kriza në Ukrainë. Ndoshta lufta atje mund të zgjasë shumë, dhe pas 6 muajve situatë do të ndryshojë”, deklaroi Ymeri.

Imer Mushkolaj thotë se nuk përjashtohet mundësi që kriza në Ukrainë ta jep efektin e kundërt në procesin e dialogut, pra ta përshpejtojë atë.

Ylli Hoxha thotë se deri më tani dialogu ka qenë vetëm humbje kohe, por sipas tij tashmë ka përpjekje për një marrëveshje përfundimtare.

Por ai thotë se me situatën e re të krijuar në Ukrainë, procesi mund të ketë ngecje.

“Me zhvillimet në Ukrainë gjërat mund të duken shumë më larg, edhe pse mund të jenë më afër. Preokupimi me Ukrainën do ta merr një energji të madhe që ka mundur të shpenzohet për Ballkanin. Mund te ketë presion për ndonjë takim, se për ndonjë hap të madh përpara”.

Edhe Dardan Gashi thotë se fokusi i ndërkombëtarëve do të jetë te kriza e Ukrainës, duke lënë anash Ballkanin.

“Fokusi do të jetë në Ukrainë dhe do të bie presioni për dialogun”.

Ai madje tha se situata tashmë është keqësuar edhe brenda Kosovës pasi kemi një komunitet serb më agresiv në Kosovë në raport me të kaluarën.

Astrit Gashi thotë se nuk është edhe aq qetë në raport me dialogun Kosovë-Serbi, pavarësisht krizës së Ukrainës.

“Fakti që po luftohet në Ukrainë nuk do të thotë se do të ndalen zyrtarët e BE-së dhe ata amerikanë të kryejnë punën në Ballkan. Pikërisht problemet në Ukrainë do të nxit nevojën për të mbyllur problemet në Kosovë e Bosnje. Nuk mendoj se situata në Ukrainë do t’i lejë të qetë qeveritë në Kosovë, Serbi apo Bosnje”, deklaroi Gashi./Telegrafi/