LAJMI I FUNDIT:

Analistët: Ka ftohje mes Kosovës dhe Gjermanisë, Procesi i Berlinit pikë kritike për marrëdhëniet mes dy vendeve

Analistët: Ka ftohje mes Kosovës dhe Gjermanisë, Procesi i Berlinit pikë kritike për marrëdhëniet mes dy vendeve

Në një diskutim rreth marrëdhënieve të Kosovës me Gjermaninë dhe Procesin e Berlinit, analistët kanë shprehur shqetësime për raportet mes dy vendeve.

Analisti Ylli Hoxha ka thënë se në Procesin e Berlinit duhet të hyjmë për barazi e jo ta përbijmë pabarazinë.

“Pabarazi është fusnota, mosnjohja nga Serbia, lobimi kundër nesh, mosnjohja nga pesëshja e BE-së. Pse neve nuk po na largohen masat kur dihet se edhe gjermania është kundër masave”, ka deklaruar Hoxha në Tv Dukagjini.


Hoxha thotë se Gjermania është dashur të lobojë edhe te Franca për disa lëshime ndaj Kosovës për shkak se këto të dyja së bashku i kanë sjellë Kosovës planin për normalizim të raporteve.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se në raport me CEFTA-n dhe Procesin e Berlinit nuk mund të funksionojmë si ishull i izoluar.

“Tingëllon shumë bukur fraza “t’i bllokojmë mallrat e Serbisë” por duhet të shohim realitetin. Mos të harrojmë se investimet nga Gjermania janë në vendin e parë”.

Analisti Sadri Ramabaja thotë se kur Gjermania ka qenë e interesuar të investojë në Postë e KEK, Kosova ua ka arrestuar agjentët.

“Sarrazini sot e ka hallin e bizneseve gjermane që veprojnë në Serbi. Si është e mundur që Gjermania të përfaqësohet nga një person i tillë jo parimor. Duhet ta pranojmë se ne jemi vonuar që të bashkëpunojmë në rrafshin ekonomik me Gjermaninë. Gjermania ka marrë garanci nga Serbia për litiumin që është material shumë i rëndësishëm”.

Ramabaja thotë se nuk do të thotë se Kosova nuk mund ta korrigjojë raportin ekonomik me Gjermaninë.

Astrit Gashi, nga ana tjetër, ka vënë në pah një ftohje të marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Qeverisë së Kosovës që nga Marrëveshja e Brukselit.

Ai theksoi se Berlini kishte investuar politikisht në Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti, duke e parë si një partner strategjik.

Megjithatë, pas refuzimit të Kosovës për të hequr ndalimin ndaj mallrave serbe dhe mos zbatimit të Asociacionit të Komunave Serbe, marrëdhëniet janë tensionuar.

“Gjermania është e irrituar dhe ka humbur besimin në Qeverinë Kurti,” tha Gashi, duke shtuar se Procesi i Berlinit tani është bërë një mekanizëm kyç i Berlinit për të ushtruar ndikim në Ballkanin Perëndimor.

Këto pikëpamje pasqyrojnë sfidat me të cilat përballet Kosova në përpjekjet e saj për të balancuar interesat e saj kombëtare me presionet ndërkombëtare dhe partneritetet ekonomike./Telegrafi/