LAJMI I FUNDIT:

Analistët flasin për anulimin e takimit në Shtëpinë e Bardhë, thonë se Thaçi veproi mirë ndërsa Hoti ka gabuar

Analistët flasin për anulimin e takimit në Shtëpinë e Bardhë, thonë se Thaçi veproi mirë ndërsa Hoti ka gabuar

Tri ditë para rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli janë dy të akuzuarit e parë që pritet të paraqiten në Gjykatën Speciale në Hagë.

E, pak orë pasi u bënë publike ngritja e aktakuzave, presidenti Thaçi njoftoi se ka anuluar vizitën e tij drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas presidentit, takimin në SHBA e ka anuluar edhe kryeministri i vendit të Kosovës, Avdullah Hoti.


Hoti ka thënë se për shkak të zhvillimeve në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ai duhet të kthehet në Prishtinë për tu marrë me situatën.

E lidhur me këto zhvillime politike për Telegrafin kanë folur njohësit e çështjeve politike. Ata konsiderojnë se presidenti Thaçi ka bërë mirë që ka anuluar vizitën në SHBA, ndërsa për anulimin e vizitës nga ana e Hotit ata theksuan se është një veprim i pamatur.

Njohësja e proceseve politike në Kosovë, Donika Emini, ka thënë se zhvillimet e djeshme kanë shënuar kthesë të madhe në procesin e dialogut.

“Përderisa roli i presidentit në dialog do të mbetet pezull deri në qartësimin e rrethanave në raport me aktgjykimin e Gjykatës Speciale, është e çuditshme tërheqja e kryeministrit Hoti nga ky takim. Kjo edhe pse Hoti vazhdimisht ka theksuar faktin që ai është i mandatuar për të udhëhequr dialogun dhe se ka një platformë për dialog. Kjo tërheqje kur nikoqir janë ShBA-të vjen papritmas për shkak se LDK ishte ajo që për qasje destruktive ndaj ShBA-së ka iniciuar edhe rrëzimin e Qeverisë Kurti”, është shprehur ajo për Telegrafin.

Donika Emini

Emini shtoi më tej se “kjo kthesë ka mundësi ta ri-formësoj rolin e ShBA-së dhe Grenellit, si dhe mund të lë hapësirë për ri-kthim të BE-së dhe shteteve anëtare si Gjermani dhe Franca në kryesimin e këtij procesi”.

“Fakti që kryetarja e Komisionit e konfirmoi takimin në mes të Hotit dhe Vuçiqit këtë të premte është indikacion që BE po tenton që përmes angazhimit në nivel të lartë të udhëheq me këtë proces”, potencoi ajo.

Analistja thotë se dialogu nuk ka qenë kurrë më i paqartë.

“Kjo jo veç për shkak të luftës së hapur në mes të BE dhe ShBA por edhe për shkak që Qeveria nuk do të ketë fuqinë e mjaftueshme politike për të shty një marrëveshje”.

Ndër të tjera ajo thotë se e gjithë fuqia politike e Qeverisë në dialog është e varur nga presidenti.

“Në mungesë të tij do të jetë tejet e vështirë për të marrë mbështetje brenda (sidomos nga PDK) kur kemi pa që parlamenti veç disa herë ka dështuar të funksionojë edhe për çështje me pak sensitive politike. Kurse nëse në marrëveshje nuk do të jetë i përfshirë Presidenti Thaçi, PDK nuk do të ketë interesim ta shtyjë politikisht asnjë marrëveshje”, deklaroi ajo.

Si përfundim, analistja tha se tani është momenti vendimtar për elitën politike, sidomos për Hotin, që të rikthehen si palë e fuqishme dhe serioze në tavolinë.

“Kurse nga jashtë Hoti do të ketë për kundërshtarë Vuçiqin i cili me zgjedhjet e fundit ka konsoliduar edhe më tej fuqinë e tij politike brenda në Serbi, kurse me komunitetin ndërkombëtarë ka luajtur rol të dyfishtë duke u forcuar me Kinën, Rusinë në një anë por edhe me BE dhe ShBA njëkohësisht.

Ky moment do të duhet të jetë vendimtar për elitën politike, sidomos Hotin që të funksionalizojë platformën dhe të kërkojë mbështetje nga gjithë segmentet duke filluar nga elita politike, shoqëria civile e akademia për t’u rikthyer si palë e fuqishme dhe serioze në tavolinë”, theksoi ajo.

Ndërkaq, Visar Xhambazi nga Demokracia për Zhvillim (D4D) e vlerëson si të çuditshme deklaratën e Gjykatës Speciale për ngritjen e aktakuzave ndaj Thaçit dhe Veselit.

“Deklarata për shtyp e publikuar nga Gjykata Speciale, daton nga 24 prill 2020 dhe është e çuditshme se si kjo aktakuzë publikohet dy muaj më vonë. Gjithashtu, është e çuditshme për faktin se prokurorët nuk shpallin aktakuza para se ato të jenë të konfirmuara”, tha Xhambazi për Telegrafin.

Visar Xhambazi

Xhambazi thotë se nëse konfirmohen aktakuzat ndaj Thaçit dhe Veselit, kjo do ta dëmtojë pozicionin e Kosovës në dialog.

“Procesin negociues në dialogun Kosovë-Serbi, e ka udhëhequr vazhdimisht presidenti Thaçi, në cilësinë e kryeministrit, ministrit të jashtëm dhe në fund në cilësinë e presidentit. Nëse kjo aktakuzë konfirmohet, atëherë do ta dëmtojë seriozisht pozicionin negociues të Kosovës në dialog”, shtoi më tej ai.

Kurse, Arbëresha Loxha, drejtoreshë e Grupit për Studime Juridike në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se presidenti Thaçi ka bërë mirë që ka anuluar vizitën në SHBA.

“GLPS konsideron që presidenti Thaçi ka bërë mirë që ka anuluar vizitën në Washington, ku për 27 qershor ishte paraparë takimi në Shtëpinë e Bardhë, si rezultat i dorëzimit të aktakuzës të paralajmëruar nga Zyra e pavarur e Prokurorit të Specializuar”, ka potencuar ajo.

Loxha ka thënë se presidenti Thaçi bën mirë të mos marrë pjesë aktive në përfaqësimin e Kosovës dhe në politikën e ditore.

Arbëresha Loxha

Kurse, sa i përket anulimit të vizitës së Hotit, Loxha thotë se ky është veprim i pamatur.

“Anulimi i vizitës së kryeministrit Hoti konsiderojmë se është gjest i pamatur dhe vë në pah papjekurinë politike të liderëve institucional të vendit. Ky është tregues që ne ende nuk dimë të veprojmë si shtet. Rikujtojmë se Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i kishte dhënë Qeverisë dhe kryeministrit autoritetin dhe përgjegjësinë për të udhëhequr dhe përfaqësuar Kosovën në raundin e ardhshme të dialogut”, potencoi ajo.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Prokurori i Specializuar  ka thënë se “e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se Thaçi dhe Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Jehona Hulaj
KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

Politikë
U arrestua për sulm fizik ndaj një vozitëse dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Policia jep detaje të rastit në Prishtinë

U arrestua për sulm fizik ndaj një vozitëse dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Policia jep detaje të rastit në Prishtinë

Kronika e Zezë
Fitim Doda ndalohet për vrasjen në tentativë në rrugën 'Haxhi Zeka', prokuroria kërkon paraburgim

Fitim Doda ndalohet për vrasjen në tentativë në rrugën 'Haxhi Zeka', prokuroria kërkon paraburgim

Drejtësi
KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

Politikë
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Kalo në kategori